Avokati i Erion Veliajt, Plarent Ndreca, ka deklaruar se ishte GJKKO-ja ajo që refuzoi kërkesën e avokatëve britanikë për t’u takuar me kryebashkiakun e Tiranës, që ndodhet pas hekurave.

Në një intervistë për emisionin “Minuta e Parë” në News24 me gazetaren Ola Bruko, Ndreca tha se nuk kishte një argument juridik për refuzimin, ndërsa sipas tij, arsyeja e dhënë ishte këmbëngulja e avokatëve për një datë të caktuar.

“E refuzoi GJKKO. Argumenti nuk kishte. Argumenti ishte se pse kjo datë, dhe sipas prokurorëve, këmbëngulja e avokatëve për një datë të caktuar ishte e papërshtatshme. Nuk kishte arsye juridike.”, tha ai.

Ndreca deklaroi se mbrojtja do t’i drejtohet Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut në Strasburg, duke pretenduar se ndaj klientit të tij janë krijuar pengesa në ushtrimin e të drejtës për mbrojtje. “Ne do e çojmë ankimin tonë në Gjykatën e Strasburgut. Ne do të ecim me depozitimin në afat në Strasburg. Pengesat artificiale të pakupitma nga SPAK, i mohohet e drejta e mbrojtjes sipas ligjit të klientit tim. Ankimimi në Strasburg do të bëhet shumë shpejt. Po bëhet vlerësimi mbi elementët e kërkesës, por do të depozitohet brenda shtatorit.”, shtoi Ndreca.

Sa i përket masës së sigurisë ndaj Veliajt, Ndreca tha se mbrojtja pret nga Gjykata e Lartë shfuqizimin e masës së paraburgimit.

“Nga Gjykata e Lartë presim shfuqizimin e masës ekstreme që i është ngarkuar zotit Veliaj. Ai nuk duhet të jetë nën masën ekstreme të paraburgimit. Këtë e thotë dhe Gjykata Kushtetuese. Pasi tre shkallët e gjyqësorit nuk kanë shqyrtuar në proporcionalitet vendosjen e masës.”, tha avokati.

Duke folur për mundësinë e zëvendësimit të kryebashkiakut të zgjedhur me një person të komanduar, avokati u shpreh se një ndryshim i tillë do të kërkonte ndërhyrje në Kushtetutë.

“Nëse i komanduar do të vendoset të zgjedhurit, duhet të ndryshojmë Kushtetutën. Qytetarët nuk kanë votuar të komanduarin, por të zgjedhurin.”, pohoi ai.

I pyetur për shkarkimin e zonjës Ristani, Ndreca tha se arsyet lidhen me mosrespektimin e detyrimeve dhe urdhrave të kryetarit të Bashkisë. “Besoj është i qartë te urdhri i firmosur nga zoti Veliaj. Nuk janë përmbushur detyrimet, vullneti i të zgjedhurit. Është krijuar distancë e pajustifikuar. U kulmua dhe me refuzimin e urdhrave të vetë kryetarit të Bashkisë.”, tha Ndreca.

Në lidhje me hapat që do të ndjekë mbrojtja nëse kërkesa e Veliajt refuzohet, Ndreca tha se do të ndiqen të gjitha rrugët ligjore. “Ne do të ndjekim hapat ligjorë. Nëse Gjykata e Lartë nuk merr vendimin në shfuqizim të masës ekstreme ndaj Veliajt, kjo tregon se gjykatat nuk marrin vendime të ligjshme.”, përfundoi ai.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: