Që Maks Vershtapen nuk ka qenë asnjëherë admirues i madh i makinave të reja të Formulës 1, kjo nuk është diçka që e mësojmë vetëm sot. Deklarata e katër herë kampionit të botës, në një intervistë për “BBC”, lë pak vend për dyshime. Sipas pilotit të Red Bullit, makinat moderne të F1 po “burgosin” talentin e pilotëve më të aftë.

FLET MAKS –

“Në historinë e këtij sporti, piloti më i fortë ka bërë gjithmonë diferencën ndaj rivalëve. Ai që frenonte më vonë, përshpejtonte më herët dhe hidhej me vendosmëri në kthesa me shpejtësi të lartë, gjithmonë shpërblehej, sepse pikërisht aty fitohej koha. Tani, përkundrazi, mendon vazhdimisht nëse në një kthesë duhet të frenosh pak më herët, të përshpejtosh më vonë apo të heqësh këmbën nga gazi më shpejt, në mënyrë që të kesh më shumë shpejtësi maksimale. Kjo është e panatyrshme dhe e kundërta e asaj se si duhet të jetë”, deklaron 28-vjeçari holandez.

Vershtapen e mbylli diskutimin me një thumbim të drejtpërdrejtë ndaj pilotëve të tjerë të Red Bullit: “Tani, pa dashur të ofendoj askënd, shikoni Tsunodën. Hipi në Racing Bulls në Zandvort pa e pasur drejtuar më parë atë makinë dhe ishte menjëherë konkurrues. E njëjta gjë ndodhi me Lousonin te Red Bulli. Kjo ndodh sepse këto makina nuk janë mjaftueshëm të ndjeshme ndaj komandave të pilotit. Sigurisht, duhet të bësh gjithsesi një xhiro të mirë dhe pilotët më të shpejtë do të jenë gjithmonë më të mirët, por talenti i pilotit po kufizohet vërtet”, përfundoi Maks Vershtapen, i cili vijon ta thotë hapur se Formula 1 e re nuk i pëlqen.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb