Kryeministri Edi Rama ka komentuar protestën dhe reagimet ndaj qeverisë, ku kërkohet dorëheqja e tij, duke e lidhur pakënaqësinë e qytetarëve me rritjen e pritshmërive në shoqërinë shqiptare. Rama tha se Shqipëria ka kaluar nga një periudhë kur votat fitoheshin me premtime dhe ndërhyrje minimale në komunitete, në një fazë ku qytetarët kërkojnë më shumë nga qeverisja.
“Ka qenë një kohë në Shqipëri ku fitoheshin vota me çakull, pra çoheshin kamionë me çakull, hidhej çakulli në një lagje të mbaruar ose në një fshat dhe njerëzit të jepnin votën. E konsideronin një dhuratë, për të cilën duhet të ishin mirënjohës. Ajo ishte një kohë që ka ikur prej kohësh”, tha Rama.
Sipas tij, zhvillimi i vendit ka sjellë edhe një ndryshim të pritshmërive të qytetarëve. “Sot, pikërisht se gjërat kanë ndryshuar dhe sepse të gjithëve iu është bërë e mundshme çdo gjë, teoria e dikurshme ‘ka dhe më keq, shyqyr mirë jemi’ i ka lënë vendin teorisë ‘ka dhe më mirë, pikë, mbaroj’”, u shpreh kryeministri. Rama tha se ky ndryshim përbën një zhvillim pozitiv, por njëkohësisht e bën më të vështirë qeverisjen. “Hyjmë në një stinë të pritshmërive të rritura. Tovili e quan ‘revolucioni i pritshmërive të larta’”, tha ai, duke sjellë si shembull përmirësimin e furnizimit me ujë.
Kryeministri u ndal edhe te protestat dhe ndikimi i rrjeteve sociale, duke pretenduar se një pjesë e tensionit është nxitur përmes teknologjisë.
“Ndodhi ajo që i thonë ‘stuhia perfekte’, sepse u bashkuan shumë komponentë në një pikë dhe kjo i dha dhe një lloj madhështie. Ishte madhështore, patjetër”, deklaroi Rama. Më tej, ai foli për atë që e cilësoi si ndërhyrje përmes algoritmeve dhe rrjeteve sociale. “Por tjetër është ta shohësh se si ndodh, se si mijëra ushtarë të prodhuar nga laboratorët e teknologjisë, me fytyra dhe me emra shqiptarë, sulmojnë hapësirën dixhitale të vendit dhe krijojnë gjithë atë tension të madh, ose më saktë, e rrisin”, tha Rama.
Në reagimin e tij, Rama e ka cilësuar gjithashtu protestën si të nxitur nga një “turmë dështakësh zemërakësh”, duke e lidhur klimën e krijuar me atë që ai e konsideron përplasje mes pritshmërive të reja të qytetarëve dhe zhvillimeve politike në vend.
