Një kompleks i rrallë dhe teknikisht i avancuar i banjave romake është zbuluar në Serbi, duke hedhur dritë të re mbi arkitekturën dhe teknologjinë e Perandorisë Romake. Zbulimi u bë në sitin arkeologjik Vrelo-Šarkamen, në lindje të Serbisë, ku gërmimet kanë vijuar prej dekadash. Kompleksi, i njohur në latinisht si “balneum”, përfshin tre pishina të ndryshme dhe një sauna dhe besohet se ishte ndërtuar posaçërisht për perandorin Maximinus Daza.

Arkeologët nuk kishin dijeni se pjesa e poshtme e një kulle monumentale prej guri, e njohur në cepin jugperëndimor të sitit, fshihte një kompleks të tillë. Sipas studiuesve të Institutit të Arkeologjisë së Serbisë, struktura paraqet një planimetri të pazakontë për banjat romake të kësaj periudhe.

Ndryshe nga shumica e banjave romake, të cilat ndërtoheshin në formë lineare për të lehtësuar sistemet hidraulike, banja e Maximinus Dazës kishte një planimetri rrethore, një tavan të harkuar dhe dritare të larta. Në katin përdhes ndodheshin sistemet e ngrohjes. Aty është identifikuar edhe një sistem oxhaku që shtrihej përgjatë dyshemesë, ndërsa arkeologët kanë gjetur bazën ku qëndronte një kazan i madh bakri, i përdorur për ngrohjen e ujit që më pas dërgohej në pishina. Vetë kazani nuk është gjetur.

Kompleksi përfshinte gjithashtu një “sudatorium”, një lloj saune romake ku njerëzit qëndronin në temperatura të larta për të nxitur djersitjen. Nga ky term vjen edhe fjala italiane “sudore”, që do të thotë djersë.

Banja e perandorit të lindur në trevat e Serbisë
Galerius Valerius Maximinus, i njohur si Maximinus Daza, lindi në territorin që sot i përket Serbisë dhe u ngrit në pushtet gjatë periudhës së tetrarkisë së Dioklecianit. Ky sistem e ndau Perandorinë Romake në katër qendra pushteti, me perandorë dhe bashkëperandorë në Lindje dhe Perëndim. Daza u emërua në një nga pozicionet drejtuese nga xhaxhai i tij, Galerius. Zgjedhja shkaktoi kundërshtime dhe kontribuoi në konfliktet që përfundimisht çuan në luftë civile, në shembjen e sistemit të tetrarkisë dhe në fundin e Dazës.

Ai u mposht nga rivali i tij, Licinius, pas së cilës humbi edhe jetën.

Një tjetër detaj historik e bën Maximinus Dazën veçanërisht të rëndësishëm. Sipas arkeologëve, ai konsiderohet personi i fundit në historinë e Egjiptit që mbajti zyrtarisht titullin e faraonit. Daza mbeti besnik ndaj fesë pagane dhe nuk u konvertua në krishterim. Gërmimet në Vrelo-Šarkamen vijojnë, ndërsa arkeologët shpresojnë të zbulojnë të dhëna të tjera mbi kompleksin monumental dhe jetën e elitës romake në këtë pjesë të Perandorisë.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: