Shtypi spanjoll për Shqipërinë 40 vjet më parë

Nga DRITAN MARA,
Gazetar dhe përkthyes, Madrid

Me 12 shtator të këtij viti mbushen 40 vjet nga vendosja e marrëdhënieve diplomatike midis Shqipërisë dhe Spanjës. Në fakt mund të quhet edhe rivendosje marrëdhëniesh, ngaqë të dy shtetet e kishin njohur njëri tjetrin që në gusht 1922, madje Spanja kishte hapur edhe një Legatë në Tiranë në prill 1929. Por, stuhitë politike të shekullit XX do t’i ndanin rrugët e tyre për një kohë të gjatë.

 Humnera ideologjike

Pushtimi i Shqipërisë në prill të vitit 1939 ndërpreu dhunshëm kontaktet e para. Megjithatë, as çlirimi i saj në nëntor 1944 nuk solli afrimin e pritur. Mes dy shteteve ishte hapur tashmë një humnerë e thellë ideologjike.

Lufta civile në Spanjë kishte sjellë në pushtet gjeneralin Francisco Franco, ndërsa Lufta e dytë Botërore kishte sjellë në pushtet regjimin e Enver Hoxhës. Për historinë, të dy ishin diktatorë, por me kahe të kundërt: Franko, një përfaqësues radikal i të djathtës antikomuniste; Enveri, një lider dogmatik i të majtës staliniste.

Hendeku politik do të krijonte boshllëk dhe ngrirje në marrëdhëniet mes dy vendeve. Tirana zyrtare e kritikonte ashpër diktaturën fashiste të Frankos, janë të njohur artikujt në Zërin e Popullit dhe në Radio Tirana; ndërsa Qeveria spanjolle kritikonte diktaturën komuniste të Hoxhës si dhe mbështetjen që Shqipëria u jepte grupeve radikale spanjolle të ekstremit të majtë të tipit FRAP, Fronti Revolucionar Antifashist dhe Patriotik, aktiviteti i të cilëve në vitet e fundit të regjimit të Frankos ishte shtuar.

Hendeku ishte aq i thellë, saqë edhe në pasaportat e asaj kohe, shtetasve spanjollë u ndalohej shprehimisht udhëtimi drejt vendet të bllokut komunist, në këtë listë vendin e parë e zinte Shqipëria.

Pasaporta Spanjolle
Pasaporta Spanjolle

1975, Vdekja e Frankos

Kthesa e madhe spanjolle do të vinte në 1975 me vdekjen e Frankos, njërit nga dy diktatorët. Spanja do të përjetonte atë që quhet Tranzicioni spanjoll, një kalim i butë nga diktatura në demokraci, do të rivendosej figura e mbretit dhe qeveria spanjolle do shihte mundësi të reja hapjeje në arenën ndërkombëtare. Është pikërisht në këto vite kur midis dy vendeve ndjehet një dëshirë hapjeje.

Kontaktet e para drejt hapjes

Fillimisht jozyrtare, kontaktet e para ndërmjet diplomatëve të të dy vendeve filluan në tokë neutrale, larg syrit të opinionit publik, në Beograd, në 1977.

Në nëntor të vitit 1981, në gazetën “El Pais” botohet një shkrim i dërguar nga korrespondenti i saj në Beograd, ku flitet për një afrim mes diplomatëve të të dy vendeve:

“Diplomatët spanjollë morën pjesë dje, për herë të parë, në Beograd në pritjen e organizuar nga ambasada shqiptare për të festuar ditën kombëtare të Shqipërisë. Çështja e hapjes së marrëdhënieve mes Tiranës dhe Madridit është ndjekur me durim nga ambasada spanjolle në Jugosllavi për vite me radhë”

Bisedimet do të ishin të gjata dhe delikate, të dy vendet herë dukej se afroheshin dhe herë që largoheshin përsëri në pozitat e fillimit. Hendeku midis tyre nuk ishte sheshuar, Enver Hoxha ishte ende gjallë.

12 shtator 1986, nënshkrimi historik

Afrimi diplomatik u kurorëzua zyrtarisht më 12 shtator 1986. Përmes një protokolli të përbashkët, Mbretëria e Spanjës dhe ajo që ende quhej Republika Popullore Socialiste e Shqipërisë, vendosën të hidhnin pas krahëve dekada armiqësie ideologjike.

Sot, pas katër dekadash, është interesante të hulumtohet se çfarë shkruhej në shtypin spanjoll në atë kohë për Shqipërinë dhe për vendosjen e këtyre marrëdhënieve.

13 shtator 1986, e përditshmja më e madhe spanjolle e asaj kohe, El País (me një tirazh prej rreth 400.000 ekzemplarësh në ditë), pasqyroi me nota të detajuara dhe me një dozë analitike ngjarjen e një dite më parë.

Gazeta Ok
Gazeta

Spanja dhe Shqipëria vendosën dje marrëdhëniet diplomatike, duke përfunduar negociatat që ishin zhvilluar në Paris gjatë vitit të kaluar midis ambasadorëve të të dy vendeve. Shqipëria ishte i vetmi vend evropian me të cilin Spanja nuk kishte marrëdhënie. Shkëmbimi i notave diplomatike, […] u zhvillua në prani të ambasadorëve të të dy vendeve në Paris, Juan Durán Lóriga dhe Maxhun Peka.

Marrëveshja për të vendosur marrëdhënie me Shqipërinë u miratua nga Këshilli i Ministrave më 28 gusht të këtij viti. Për momentin, përfaqësimi spanjoll në Tiranë do të kanalizohet përmes ambasadës në Beograd, dhe përfaqësimi shqiptar në Spanjë përmes delegacionit të saj në Paris”

Artikulli i gazetës spanjolle vinte në dukje se që nga viti 1945 kontaktet midis dy vendeve kishin qenë thuajse zero, pa llogaritur disa qindra spanjollë, që e kishin vizituar në ato vite Shqipërinë për  ekskursione “më tepër të një natyre ekzotike dhe politike sesa turistike”. Këtu, me ironi referenca ishte për ata spanjollë, anëtarë të partive marksiste-leniniste që vinin fshehtas në Shqipëri ku formoheshin politikisht dhe zhvillonin aktivitetin e tyre duke ndihmuar në përkthimet e literaturës politike apo në emisionet në spanjisht të Radio Tiranës.

Gazeta 33
Gazeta

Gazeta zbulonte gjithashtu prapaskenat e procesit:

“Procesi i hapjes së marrëdhënieve diplomatike hispano-shqiptare, […] filloi në kryeqytetin e Jugosllavisë në vitin 1978, pas dëbimit nga Spanja të Leka Zogut, pretendentit për fronin shqiptar. […] Deri në vdekjen e Frankos, ambasadorët shqiptarë në mbarë botën ishin udhëzuar të mos përshëndesnin homologët e tyre spanjollë dhe t’u kthenin shpinën në pritjet zyrtare të organizuara nga vendet e treta. Ambasadori Fernando Olivié dhe zëvendësministri aktual i Jashtëm shqiptar, Sokrates Plaka, nisën kontaktet e para joformale në Beograd në vitin 1977”.

Kromi që çan bllokadën diplomatike

Shtypi spanjoll zbulon se ndërmjet dy vendeve, edhe pse nuk kishte marrëdhënie zyrtare diplomatike kishte pasur kontakte tregtare. Duke iu referuar periodikëve të kohës, zbulojmë se në vitin 1980 kishte pasur një vizitë të një delegacioni tregtar shqiptar në Madrid dhe të një delegacioni tregtar spanjoll në Tiranë. Një tjetër njoftim në shtyp tregon se po në 1980 Spanja i kishte blerë Shqipërisë rreth 4 milion dollar mallra. Ndërsa në vitin 1985 Spanja kishte blerë kryesisht krom nga Shqipëria në vlerën 895 milionë peseta (rreth 6,4 milion dollarë) dhe kishte eksportuar në Shqipëri mallra me vlerë 85 milionë peseta (rreth 607 mijë dollarë).

Kontaktet tregtare midis dy vendeve i hapën rrugën marrëdhënieve diplomatike. Spanjollët ishin të interesuar për mineralet dhe naftën e Shqipërisë dhe nga ana tjetër kërkonin të shisnin prodhimet e tyre në një Shqipëri që, pas ndarjes nga Kina, ishte e interesuar për prodhimet industriale që mund t’i ofronte Spanja. Por, deri në shtatorin e 1986, duket se kishte ende rrugë dhe bisedime për të bërë.

1985, Vdekja e Enver Hoxhës

Shtypi spanjoll i bëri një jehonë jo të vogël vdekjes së liderit komunist shqiptar. Gazeta El Pais, në 18 prill 1985 e hapte artikullin me këto fjalë:

“Largimi i Enver Hoxhës nga skena politike staliniste shqiptare dhe zëvendësimi i tij nga Ramiz Alia hap rrugën për vendosjen e marrëdhënieve midis Madridit dhe Tiranës. Vdekja e Hoxhës mbyll kapitullin e një epoke fyerjesh kundër Kurorës Spanjolle, veçanërisht të ashpra deri pesë vjet më parë, përmes valëve të Radio Tiranës. Burime diplomatike shqiptare i kanë përsëritur kësaj gazete, pas vdekjes së udhëheqësit të tyre, se Tirana mbetet e palëkundur në dëshirën e saj për të hyrë në dialog me Madridin.”

Por edhe për Ramiz Alinë shtypi spanjoll duket se ishte skeptik:

“Pas vdekjes së udhëheqësit historik Hoxha në prill të vitit 1985, pasardhësi i tij, Ramiz Alia, u betua para eshtrave të tij: “Shqipëria do të jetë gjithmonë e kuqe, siç e deshët ju”. Asgjë nuk ka ndryshuar në vendin më të mbyllur në Evropë. Gjatë jetës së Hoxhës, Ramiz Alia ishte rojtari i pastërtisë ideologjike, rojtari i tablove të besnikërisë ndaj kujtimit të Stalinit, në një vend ku ushtrimi publik i fesë është i ndaluar”.

Tundimi nga Lindja dhe roli i Këshillit të Evropës

Ndoshta një nga stimujt e jashtëm që do të ndikonin në përmbylljen e marrëveshjes do të ishte ajo që zbulon më tej artikulli i 13 shtatorit:

“Në vitin 1985, Këshilli i Evropës i rekomandoi anëtarët e tij, që të promovonin marrëdhëniet e tyre me Shqipërinë, pas vdekjes së Enver Hoxhës në prill 1985, duke pasur parasysh mundësinë që udhëheqësit e rinj mund të tundoheshin për t’u rikthyer nga Lindja.

Ky rekomandim i Këshillit të Evropës  për ta tërhequr Shqipërinë drejt Perëndimit dhe për të mos i lënë udhëheqësit e rinj të saj të binin në tundimin për rikthim nga Lindja, ndoshta ishte shtysa përfundimtare që në gusht të vitit 1986 Këshilli i Ministrave të Spanjës, i kryesuar nga Felipe Gonzalez, një socialist, të firmoste marrëveshjen për vendosjen e marrëdhënieve diplomatike me Shqipërinë.

Edhe pse interesi i palës shqiptare për lidhjen e marrëdhënieve diplomatike kishte filluar që pas vdekjes së Frankos, kurorëzimi i tyre do të bëhej një dekadë më vonë, vetëm pas vdekjes së Enver Hoxhës. Ishin dy nga diktatorët që e mbajtën gjatë pushtetin, 36 vjet Franko dhe 41 vjet Enveri. Duhej të vdisnin të dy diktatorët që midis këtyre dy vendeve të rivendoseshin marrëdhëniet diplomatike.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb