Është mbyllur protesta e 104-të kundër qeverisë në Tiranë, pas disa orësh marshim dhe tubim në rrugët e kryeqytetit.

Protestuesit nisën marshimin nga sheshi “Skënderbej”, u stacionuan para Kryeministrisë dhe më pas vijuan drejt Ambasadës së Malit të Zi, në shenjë proteste për ndalimin e autokolonës me shqiptarë të diasporës në Nikshiq.

Gjatë protestës u dëgjuan një sërë thirrjesh kundër qeverisë dhe kryeministrit Edi Rama, ndërsa protestuesit kërkuan edhe arrestimin e Ramës dhe ish-zëvendëskryeministres Belinda Balluku.

Në përfundim të tubimit, protestuesit e mbyllën me thirrjen “Nesër më shumë!”, duke paralajmëruar vijimin e protestave.

Ndërkohë, vëmendja zhvendoset te dita e shtunë, kur pritet zhvillimi i një tubimi kombëtar, ku pritet të marrin pjesë edhe shqiptarë të diasporës që kanë udhëtuar drejt Shqipërisë. Organizatorët kanë bërë thirrje për pjesëmarrje masive në protestën e së shtunës.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: