Kryeministri Edi Rama ka reaguar përmes një postimi në platformën X lidhur me protestën e ndodhur sot në kantierin e Muzeut Hebraik në Vlorë.
Rama akuzoi dhe ofendoi protestuesit, ndërsa thotë se , një grup personash të drejtuar sipas tij nga Bujar Leskaj, kanë sulmuar kantierin duke pretenduar se po shkatërrohej Muzeu Labëria, ose Muzeu Etnografik.
Kryeministri e cilësoi këtë pretendim si “pervers dhe shpifës”, ndërsa theksoi rëndësinë e Muzeut Hebraik si një projekt që, sipas tij, synon të ruajë kujtesën historike të Vlorës dhe rolin e qytetit në mbrojtjen e hebrenjve gjatë Luftës së Dytë Botërore.
Rama deklaroi gjithashtu se Fondi Shqiptaro-Amerikan i Zhvillimit ka akorduar 200 mijë dollarë për hartimin e projektit për transformimin e Muzeut Labëria. Sipas tij, muzeu aktual, të cilin e cilësoi si të degraduar, do të rikonstruktohet dhe do të zhvillohet paralelisht me Muzeun Hebraik.
“Banda e Lesko Pijanecit e ka bërë zakon këtë ritual sulmesh ndaj kantiereve të ndërtimit të transformimeve epokale të Vlorës”, shkroi Rama, duke vijuar me një gjuhë të ashpër ndaj kundërshtarëve politikë.
Kryeministri tha se të dy projektet do të shndërrohen, sipas tij, në pika të rëndësishme për Vlorën, si në aspektin historik, ashtu edhe në atë turistik.
Reagimi:
Një grup delinkuentësh të udhëhequr nga Lesko pijaneci sulmuan sot kantierin e ndërtimit të Muzeut Hebraik të Vlorës – një gur themeli i kujtesës historike të qytetit të Pavarësisë dhe lavdisë në mbrojtjen e hebrenjve gjatë Luftës së Dytë Botërore – me pretendimin pervers dhe shpifës se, gjoja, Muzeu Labëria ose ndryshe Muzeu Etnografik po shkatërrohej.
Banda e Lesko Pijanecit e ka bërë zakon këtë ritual sulmesh ndaj kantiereve të ndërtimit të transformimeve epokale të Vlorës, por vlonjatët duhet ta dinë se me kërkesën time, Fondi Shqiptaro-Amerikan i Zhvillimit ka dhënë 200 mijë dollarë amerikanë për hartimin e projektit të Rilindjes për Muzeun Labëria, një karikaturë krejtësisht e degraduar që do të shndërrohet, së bashku me Muzeun Hebraik, në një tjetër derë të hapur krenarie për Vlorën patriotike dhe turistike. Dhe Lesko Pijanec do të vrapojë drejt kantiereve të tjera të ndërtimit, ashtu siç vrapon natën pas fëmijëve dhe pulave që shoqërojnë rrjedhat e rakisë në grykën e tij të pangopur
