Përplasja mes pushtetit ekzekutiv dhe sistemit të drejtësisë për pagat e magjistratëve vijon të thellohet, ndërsa në debat është përfshirë tashmë edhe organi i akuzës.

Kryetari i Shoqatës së Gjyqtarëve dhe gjyqtari i Gjykatës së Posaçme të Apelit, Engert Pëllumbi, ka bërë të ditur se Prokuroria e Beratit ka regjistruar një procedim penal lidhur me moszbatimin e pagave dhe po kryen veprime hetimore ndaj punonjësve të degës së Thesarit.

Në një intervistë për emisionin “Kjo Javë” me Nisida Tufën, Pëllumbi u shpreh se vendimi i Gjykatës Kushtetuese nuk mund të konsiderohet si një ndërhyrje e paligjshme në buxhetin e shtetit. Sipas tij, Gjykata Kushtetuese ka shpallur antikushtetues uljen e pagave të gjyqtarëve dhe vendimet e saj kanë fuqi detyruese.

“Gjykata Kushtetuese nuk e hap derën e thesarit në mënyrë të paligjshme. Ajo thjesht ka shpallur antikushtetues uljen e pagave të gjyqtarëve. Vendimet e Gjykatës Kushtetuese kanë fuqinë e ligjit dhe janë të detyrueshme për zbatim të menjëhershëm”, deklaroi Pëllumbi.

Ai komentoi edhe deklaratën e Kryeministrit Edi Rama, i cili ka thënë se pushteti gjyqësor nuk mund “ta hapë vetë derën e thesarit të shtetit” pa miratimin e Kuvendit.

Pëllumbi theksoi se përgjegjësia për moszbatimin e një vendimi gjykate i takon organeve kompetente për ta hetuar, ndërsa shtoi se një zyrtar i lartë që pranon publikisht se ka qenë pjesë e vendimmarrjes për të mos ekzekutuar një vendim gjykate mund të përfshihet në sferën e përgjegjësisë penale.

“Kur një zyrtar i lartë pranon publikisht se ka qenë pjesë e vendimmarrjes për të mos ekzekutuar një vendim gjykate, ai e përfshin veten direkt në sferën e përgjegjësisë penale. Nga kjo përgjegjësi nuk përjashtohet as Kryeministri”, u shpreh ai.

Pëllumbi tha se i takon prokurorisë të kryejë veprimet hetimore dhe të përcaktojë përgjegjësitë, ndërsa sa i përket SPAK-ut, ai deklaroi se organi i posaçëm ka detyrimin të hetojë çdo person ndaj të cilit ekzistojnë dyshime të bazuara.

Duke folur për kallëzimin penal të bërë nga gjyqtarët, Pëllumbi tha se ndër veprat penale të referuara është “Shpërdorimi i detyrës”, për të cilën Kodi Penal parashikon dënim deri në 7 vite burg, ndërsa për “Pengimin e ekzekutimit të vendimeve të gjykatës” parashikohet gjobë ose burgim deri në dy vjet.

Por zhvillimi më i fundit, sipas Pëllumbit, lidhet me Beratin.

“Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Berat ka regjistruar tashmë një procedim penal mbi bazën e kallëzimit që kanë bërë punonjësit e administratës së Gjykatës. Organi i akuzës është duke kryer të gjitha veprimet përkatëse hetimore për të nxjerrë përgjegjësitë e degës së Thesarit në atë qytet”, deklaroi ai.

Pëllumbi e cilësoi përplasjen aktuale si një krizë të krijuar nga ekzekutivi, duke këmbëngulur se gjyqtarët nuk po kërkojnë privilegje, por zbatimin e një vendimi kushtetues. Ai tha se nuk do të ketë bojkot total të sistemit të drejtësisë, por mund të ketë reduktim të punës dhe fokusim te çështjet urgjente, si masat e sigurisë dhe çështjet e personave të paraburgosur.

Sipas tij, nëse situata vijon, pasojat për qytetarët do të jenë të kufizuara në kohë, ndërsa gjyqtarët do të përdorin të gjitha mjetet ligjore në dispozicion për mbrojtjen e pavarësisë së sistemit.

Për Pëllumbin, çështja e pagave nuk lidhet vetëm me të ardhurat e gjyqtarëve, por drejtpërdrejt me pavarësinë e pushtetit gjyqësor. Ai paralajmëroi se çdo ndërhyrje që prek garancitë financiare të magjistratëve mund të shihet si një përpjekje për të ushtruar presion mbi sistemin e drejtësisë.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb