Një përplasje e fortë institucionale po zhvillohet mes pushtetit ekzekutiv dhe gjyqësorit, në qendër të së cilës janë pagat e magjistratëve dhe zbatimi i një vendimi të Gjykatës Kushtetuese.
Kryeministri Edi Rama ka deklaruar se Gjykata Kushtetuese nuk mund të “hapë derën e Thesarit”, ndërsa gjyqtarët e konsiderojnë moszbatimin e vendimit një shkelje të hapur të Kushtetutës.
Në këtë klimë të tensionuar, kallëzimi penal dhe përplasja institucionale marrin një tjetër dimension: kush mban përgjegjësi për moszbatimin e një vendimi kushtetues dhe a po vihet në provë pavarësia e gjyqësorit?
Për këto zhvillime, emisioni “Kjo Javë” me Nisida Tufën ka realizuar një intervistë të shkurtër me gjyqtarin e Gjykatës së Posaçme të Apelit dhe njëkohësisht kryetarin e Shoqatës së Gjyqtarëve, Engert Pëllumbi.
Në intervistë, Pëllumbi flet për përplasjen institucionale, zbatimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese, përgjegjësinë e institucioneve dhe shqetësimet që lidhen me pavarësinë e pushtetit gjyqësor.
Intervista e plotë:
Pyetje: Kryeministri deklaroi se pushteti gjyqësor nuk mund “ta hapë vetë derën e thesarit të shtetit” pa miratimin e Kuvendit. Si ekspert i ligjit, a është ligji i buxhetit kompetencë ekskluzive e Parlamentit?
Engert Pëllumbi: Absolutisht po, por ne nuk jemi në të tilla kushte. Gjykata Kushtetuese nuk “e hap derën e thesarit” në mënyrë të paligjshme. Ajo thjesht ka shpallur antikushtetues uljen e pagave të gjyqtarëve. Vendimet e Gjykatës Kushtetuese kanë fuqinë e ligjit dhe janë të detyrueshme për zbatim të menjëhershëm.
Pyetje: Kallëzimi juaj penal synon të gjejë “urdhëruesin” e bllokimit të pagave. Tani që Edi Rama deklaroi publikisht se Ministri i Financave u konsultua me të dhe me Ministrin e Drejtësisë, a do ta zgjeroni kallëzimin tuaj në SPAK duke përfshirë edhe Kryeministrin?
Engert Pëllumbi: I takon organit të prokurorisë të kryejë veprimet e duhura hetimore. Megjithatë, nëse një zyrtar i lartë pranon publikisht se ka qenë pjesë e vendimmarrjes për të mos ekzekutuar një vendim gjykate, ai e përfshin veten direkt në sferën e përgjegjësisë penale. Nga kjo përgjegjësi nuk përjashtohet as Kryeministri. Si kallëzues, ne nuk mund të depozitojmë një shtesë të kallëzimit penal në SPAK.
Pyetje: A do të guxojë SPAK-u të hetojë Kryeministrin?
Engert Pëllumbi: Sipas Kodit të Procedurës Penale, SPAK-u ka për detyrë të hetojë çdo person ndaj të cilit ka dyshime të bazuara. Patjetër që ai e ka guximin të hetojë këdo.
Pyetje: Çfarë dënimi rrezikojnë personat e kallëzuar në rast fajësie?
Engert Pëllumbi: Për veprat për të cilat ne kemi bërë kallëzimin, më e rënda është ajo e “Shpërdorimit të detyrës” (Neni 248 i Kodit Penal). Kjo vepër ka një sanksion që parashikon dënim me burgim deri në 7 vjet dhe heqjen e së drejtës për të ushtruar funksione publike. Ndërsa për veprën penale të “Pengimit të ekzekutimit të vendimeve të gjykatës”, Kodi Penal parashikon dënim me gjobë ose me burgim deri në dy vjet.
Pyetje: Vendimet e Gjykatës Kushtetuese janë të prera, të zbatueshme menjëherë dhe kanë fuqinë e ligjit. Duke mos ekzekutuar pagat e muajit gusht sipas këtij vendimi, a nuk po krijon Ministria e Financave një precedent të rrezikshëm, ku ekzekutivi zgjedh cilat vendime gjykate të zbatojë dhe cilat jo? Si do të garantohet paanshmëria e hetimit pa rënë në grackën e vetëinteresit, pasi edhe pagat e prokurorëve varen nga ky vendim?
Engert Pëllumbi: Gjykata Kushtetuese iu drejtua Komisionit të Venecias për këtë parim në rastin e lustracionit në Shqipëri, në vitet 2009–2010. Ky komision ka qenë i qartë: kur kemi dy parime në konflikt dhe nuk kemi kush t’i zëvendësojë magjistratët, atëherë merr përparësi parimi i funksionalitetit. Pra, edhe kur mund të dukesh i njëanshëm sepse prekesh nga ajo vendimmarrje, detyrimi ligjor është që ta shqyrtosh çështjen, pasi nuk ka kush tjetër ta bëjë.
Në këtë rast, kush mund ta hetojë këtë çështje përveç prokurorisë shqiptare? Ne nuk do të marrim prokurorë nga Italia; ne do t’i hetojmë dhe ne do t’i gjykojmë. Sigurisht, përjashtohemi ne që kemi bërë kallëzimin sepse e kemi dhënë mendimin tonë, por kolegët e tjerë nuk kanë asnjë pengesë. Parimi i funksionalitetit qëndron mbi parimin e paanshmërisë. Këtë e ka thënë Komisioni të Venecias, e ka thënë Gjykata e Strasburgut dhe është një parim ndërkombëtar i gjithëpranuar.
Pyetje: A kemi tashmë një krizë mes dy pushtetesh në Shqipëri, sa mendoni se do të zgjasë dhe cilat janë pasojat e mundshme?
Engert Pëllumbi: Kjo është një krizë e krijuar artificialisht nga ekzekutivi. Ne nuk kemi konflikt me asnjë institucion. Ekzekutivi po e stis këtë konflikt, ndërsa ne jemi thjesht për zbatimin e Kushtetutës dhe të vendimit të Gjykatës Kushtetuese.
Kohëzgjatja varet plotësisht nga reagimi i pushtetit ekzekutiv. Në Mbledhjen e Përgjithshme të Gjyqtarëve e bëmë të qartë njëzëri: ne nuk negociojmë me parimet kushtetuese. Nuk negociojmë për zbatimin e nenit 138 të Kushtetutës (mos-cënimi i pagës së gjyqtarit) dhe nenit 132 (zbatueshmëria e vendimeve të Gjykatës Kushtetuese). Nuk negociojmë, sepse jemi përballë një shkeljeje të hapur. Formula kushtetuese përcaktoi se, për shkak se Kuvendi nuk veproi deri më 31 korrik, vendimi ka hyrë në fuqi më 1 gusht. Ne nuk heqim dorë nga kjo formulë që tashmë ka marrë fuqinë e ligjit. Shpresoj që ndërkombëtarët të bëjnë lëvizjet e duhura për të ndërmjetësuar, në mënyrë që ekzekutivi të hyjë në shinat e kushtetueshmërisë.
Pyetje: Mazhoranca i ka votat në Kuvend. Po t’i shkojë në mendje ta ndryshojë atë ligj për të bllokuar sërish rritjen?
Engert Pëllumbi: Nëse ndodh kjo, ne do të shkojmë përsëri në Gjykatën Kushtetuese për ta zhbërë atë ligj. Këto janë mjetet ligjore që ka në dorë pushteti gjyqësor.
Pyetje: Po sa i përket ngarkesës së çështjeve në sistem, a do të ketë pasoja ky reagim i gjyqtarëve për qytetarët?
Engert Pëllumbi: Nuk do të ketë ndonjë pasojë të madhe. Bëhet fjalë për një vonesë prej maksimumi 2 deri në 3 javësh. Kjo vonesë nuk ka asnjë ndikim nëse e krahason me çështjet që kanë 5 vjet që presin në sistem, jo për faj të gjyqtarëve, por për shkak të boshatisjes së sistemit nga procesi i vetingut. Ne nuk kemi bërë një bojkot total. Kemi deklaruar se mund ta reduktojmë punën duke u fokusuar te çështjet urgjente, siç janë masat e sigurisë apo çështjet e të paraburgosurve. Gjithçka do të jetë në varësi të reagimit të ekzekutivit. Nëse ata vijojnë me kokëfortësi, kjo mbetet e vetmja rrugë për ne.
Pyetje: Kryeministri u shpreh se qeveria ka bërë një reformë të përgjithshme pagash dhe se gjyqësori po kërkon privilegje mbi kategoritë e tjera. Cili është statusi i vërtetë i pagës së Ministrit të Financave dhe magjistratëve?
Engert Pëllumbi: Po jua sqaroj edhe këtë. Në vitin 2016, kur u bë Reforma në Drejtësi (të cilën e hartuan ndërkombëtarët dhe me të cilën mburret sot Kryeministri), u vendos që gjyqtarët që kalojnë me sukses vetingun të kenë paga dinjitoze, në mënyrë që të garantohet pavarësia e tyre. Këtë e kërkuan ndërkombëtarët dhe e miratoi politika shqiptare me 140 vota, përmes ndryshimeve kushtetuese të Reformës në Drejtësi. Ne kërkojmë këto paga që na takojnë, për shkak se kemi kaluar një proces skanimi që asnjë gjyqësor tjetër nuk e ka kaluar. Nuk është e vërtetë ajo që thotë Kryeministri se u bë thjesht një reformë pagash; në vitin 2016 nuk u bë reformë pagash, u bë revolucion.
Pyetje: Po akuzat për trajtim me hile në raport me kategoritë e tjera të administratës?
Engert Pëllumbi: Kjo ndodh vetëm në sistemin e drejtësisë, sepse ne jemi pushtet i pavarur. Pjesën tjetër të administratës ekzekutivi e ka në varësi dhe ua rregullon pagat si të dojë qeveria dhe parlamenti. Për më tepër, ato shifra që jep ministri nuk janë të sakta. Paga ka disa komponentë. Paga që duhet të ketë një magjistrat që sapo fillon punën është 449 mijë lekë të reja (bruto), dhe jo 500 e ca mijë sa pretendojnë ata. Me vjetërsinë në punë kjo vlerë ndryshon dhe me kalimin e kohës rritet. Gjykata e Posaçme (GJKKO) ka edhe shtesën e vështirësisë, të cilën ne e kemi për shkak të kufizimeve të mëdha jetësore dhe natyrës së çështjeve; ne jemi nën përgjim 24 orë në ditë dhe prandaj marrim shtesën prej 80% të pagës bruto fillestare. Kjo që po ndodh është një tentativë e pastër për ta marrë në kontroll gjyqësorin përmes mesazhit: “Silluni mirë, sepse paratë tuaja i kam unë në dorë”.
Ne do t’i përdorim të gjitha mjetet ligjore në dispozicion. Një magjistrat me integritet, sado ta ketë pagën, mbetet po i njëjti. Unë vetë e kam nisur punën me një rrogë prej 67 mijë lekësh të reja dhe kam qenë po ky që jam sot. Çështja e pagës këtu lidhet drejtpërdrejt me dinjitetin e personit dhe të institucionit. Kjo që bën Kryeministri është shprehje arrogance për të treguar se: “Unë di, unë bëj, unë jam mbreti që i bëj të gjitha”.
Kjo është një vënie në provë për të parë se sa reagojmë ne. Nëse nuk reagojmë sot për pagën, nesër ai do të na heqë diçka tjetër nga aspekti i pavarësisë. Mund të kalojë nën kontroll buxhetin gjyqësor (i cili aktualisht menaxhohet nga KLGJ), apo të bëjë një kufizim tjetër pasnesër. Pra, është një lloj testimi, përveçse një shfaqje e arrogancës së tij që thotë se nuk pyet për parime dhe për zbatimin e vendimeve të Gjykatës Kushtetuese.
A ka pasur ndonjë lëvizje konkrete apo urdhër-arreste deri tani?
Engert Pëllumbi: Ju bëj me dije se Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Berat ka regjistruar tashmë një procedim penal mbi bazën e kallëzimit që kanë bërë punonjësit e administratës së Gjykatës. Organi i akuzës është duke kryer të gjitha veprimet përkatëse hetimore për të nxjerrë përgjegjësitë e degës së Thesarit në atë qytet.
