Reshjet e dendura që kanë përfshirë qarkun e Elbasanit kanë sjellë probleme në disa akse rrugore dhe zona të banuara, duke vështirësuar përkohësisht qarkullimin e mjeteve dhe menaxhimin e situatës.

Në afërsi të urës së Shkumbinit, si pasojë e reshjeve intensive, është çarë asfalti i rrugës, duke detyruar autoritetet të bllokojnë përkohësisht qarkullimin e mjeteve në këtë pjesë, për të garantuar sigurinë e drejtuesve dhe pasagjerëve.

Ndërkohë, problematika janë evidentuar edhe në fshatrat e Njësisë Administrative Shushicë, ku reshjet kanë krijuar vështirësi në funksionimin normal të kanaleve kulluese. Situata po monitorohet nga strukturat përgjegjëse, ndërsa po vlerësohen nevojat për ndërhyrje në terren, raporton gazetari Fatmir Popja.

Në gatishmëri të plotë janë edhe të gjitha ekipet zjarrfikëse, të cilat ndodhen në terren dhe po ndërhyjnë aty ku paraqitet nevoja, në koordinim me strukturat e emergjencave civile dhe autoritetet vendore.

Strukturat e emergjencave vijojnë monitorimin e situatës, ndërsa qytetarëve u kërkohet të tregojnë kujdes të shtuar gjatë lëvizjes, veçanërisht në zonat ku ka prani të ujërave në rrugë, dëmtime të infrastrukturës apo probleme me sistemet e kullimit.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: