Aktivisti Bledar Meti ka deklaruar se protestuesit nuk do të ndalen dhe nuk do të largohen nga sheshi, duke paralajmëruar përshkallëzim të aksionit qytetar kundër qeverisë së drejtuar nga kryeministri Edi Rama.

Gjatë protestës, teksa qytetarët vijojnë marshimin dhe qëndrimin pranë Kryeministrisë, Meti tha se qëllimi i tyre nuk është thjesht zhvillimi i një marshimi, por vijimi i veprimeve dhe i mosbindjes civile. Sipas tij, protestuesit do të qëndrojnë në shesh për t’i përcjellë Ramës mesazhin se duhet të largohet nga drejtimi i vendit.

Meti u shpreh se lëvizja qytetare që ka nisur prej muajsh përbën një moment të rëndësishëm për vendin dhe se pjesëmarrësit në protesta do të mbeten në historinë e Shqipërisë.

Ai u bëri thirrje qytetarëve që të vijojnë qëndresën, duke e cilësuar protestën si një përpjekje për ndryshim të sistemit politik dhe për një demokratizim më të madh të vendit.

“Ne nuk kemi ardhur këtu për një marshim të zakonshëm. Do të ketë përshkallëzim, veprim dhe qëndrim. I përshëndesim edhe ata qytetarë që po bëjnë mosbindje civile në vende të tjera”, deklaroi Meti.

Aktivisti tha se qytetarët që po marrin pjesë në protestë janë ata që kanë krijuar këtë lëvizje dhe po e mbajnë gjallë prej muajsh. Ai e cilësoi situatën si një mundësi për të ndryshuar mënyrën se si funksionon demokracia në Shqipëri.

Më tej, Meti deklaroi se Shqipëria ka potencialet e saj dhe se qytetarët shqiptarë nuk duhet të largohen nga vendi për të kërkuar mundësi më të mira. Sipas tij, ndryshimi duhet të nisë brenda vendit dhe duhet të udhëhiqet nga qytetarët.

“Do të jeni ju ata që do ta realizoni këtë revolucion demokratik. Të demokratizojmë Shqipërinë. Nuk është më e nevojshme të shkojmë në botë për të gjetur mundësinë. Shqipëria është plot me mundësi, shqiptarët janë të aftë dhe ambiciozë”, u shpreh aktivisti.

Meti përsëriti thirrjen për vijimin e protestave dhe tha se synimi i lëvizjes është t’i japë fund regjimin e Edi Ramës.

“T’i japim fund establishmentit të 36 viteve dhe regjimit autoritar të Ramës”, deklaroi Bledar Meti.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb