Elbasani dje u përball me një stuhi të jashtëzakonshme .60 mm shi në vetëm 30 minuta, rreth 30 banesa e 20 bodrume të përmbytura, dhjetra automjete të dëmtuara dhe pemë të rrëzuara

Një stuhi me reshje me intensitet të jashtëzakonshëm goditi gjatë mesditës së të shtunës qytetin e Elbasanit dhe zona të ndryshme të territorit të bashkisë, duke shkaktuar problematika të menjëhershme në infrastrukturë, banesa, biznese dhe qarkullimin rrugor.

Sipas të dhënave zyrtare të bëra publike nga Bashkia Elbasan, brenda vetëm 30 minutave janë regjistruar rreth 60 milimetra reshje shiu, një sasi e konsiderueshme që solli grumbullime të mëdha uji dhe përmbytje në disa pika të qytetit.

Menjëherë pas shfaqjes së problematikave, ekipet e emergjencave dhe shërbimeve publike dolën në terren për t’u ardhur në ndihmë qytetarëve dhe për të menaxhuar pasojat e stuhisë. Fatmirësisht, nuk është raportuar asnjë person i lënduar.

Nga verifikimet paraprake të strukturave të Bashkisë, uji ka prekur rreth 30 banesa dhe 20 bodrume, në të cilat është ndërhyrë me pompa për largimin e ujit dhe rikthimin gradual të ambienteve në gjendje normale.

Dëmet më të konsiderueshme janë evidentuar te automjetet e parkuara në parkimet nëntokësore, të cilat janë përballur me depërtimin e ujërave të reshjeve.

Stuhia ka shkaktuar gjithashtu rrëzimin e 10 pemëve, të cilat janë larguar nga rrugët nga ekipet e shërbimeve publike, duke mundësuar hapjen e akseve dhe normalizimin e qarkullimit.

Problematika nuk janë kufizuar vetëm në qytetin e Elbasanit. Prurjet e krijuara nga reshjet kanë shkaktuar dëmtime dhe vështirësi në disa rrugë të fshatrave dhe njësive administrative.

Mjetet dhe ekipet e shërbimeve publike kanë ndërhyrë në terren për pastrimin e rrugëve nga materialet e sjella nga prurjet, duke bërë të mundur rikthimin e qarkullimit në segmentet e prekura.

Bashkia Elbasan ka bërë të ditur se të gjitha ndërmarrjet publike vijojnë të jenë në gatishmëri të plotë, me ekipe të angazhuara në terren për monitorimin e situatës dhe ndërhyrjen në çdo pikë ku paraqitet nevoja.

Edhe gjatë ditës së diel, strukturat e Bashkisë Elbasan vijojnë punën në terren për pastrimin, sistemimin dhe rikthimin në gjendje normale të zonave të prekura.

Sipas Bashkisë, ndërhyrjet do të vijojnë pa ndërprerje në qytet dhe në njësitë administrative, deri në eliminimin e plotë të pasojave të shkaktuara nga reshjet.

Moti i keq i së shtunës nuk preku vetëm qytetin e Elbasanit, por pothuajse të gjithë territorin e qarkut të Elbasanit.

Reshjet intensive dhe prurjet e krijuara kanë shkaktuar problematika në segmente të ndryshme të rrugëve kombëtare dhe rurale, duke vështirësuar përkohësisht qarkullimin e automjeteve.

Në disa zona janë raportuar gjithashtu përmbytje të tokave bujqësore, ndërsa strukturat lokale dhe shërbimet e emergjencave kanë vijuar monitorimin e situatës.

Pavarësisht intensitetit të jashtëzakonshëm të reshjeve, bilanci paraprak në Elbasan nuk regjistron persona të lënduar, ndërsa puna e strukturave publike vijon për të evidentuar dëmet dhe për të rikthyer normalitetin në të gjitha zonat e prekura.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb