Një ngjarje e rëndë ndodhi në Urakë të Matit, ku në mesnatë u qëllua me breshëri plumbash ndaj një automjeti të parkuar pranë një banese.
Sipas të dhënave paraprake, pronarët e banesës dhe automjetit sapo ishin kthyer nga Italia, por fatmirësisht iu shpëtuan plumbave pa lëndime.
Pas të shtënave, banorët e zonës njoftuan menjëherë policinë, kurse në vendngjarje janë gjetur rreth 30 gëzhoja arme.
Mëngjesin e kësaj të diele, po në fshatin Urakë është gjetur i djegur një automjet që dyshohet se iu përket autorëve të sulmit. Ende nuk dihet nëse familja që u sulmua ka pasur probleme të mëparshme, ndërsa hetimet për zbardhjen e ngjarjes dhe identifikimin e autorëve vijojnë.
Njoftimi i policisë:
Mat
Më datë 12.09.2026, rreth orës 23:10, në fshatin Urakë, Njësia Administrative Rukaj, Bashkia Mat, nga persona ende të paidentifikuar është qëlluar me armë zjarri në drejtim të automjetit tip “Audi”, në pronësi të shtetases S. Ll. (bashkëshortja e shtetasit A. Ll.), i parkuar në oborrin e banesës.
Nga të shtënat janë shkaktuar dëmtime materiale vetëm në automjetin tip “Audi”.
Shërbimet e Policisë, me marrjen e njoftimit, shkuan menjëherë në vendngjarje dhe, në bashkëpunim me DVP Dibër, ngritën pika kontrolli.
Ndërkohë, në vendngjarje shkoi grupi hetimor.
Shërbimet e Policisë, gjatë kontrollit të territorit, rreth 2 kilometra larg nga vendi i ngjarjes, në aksin rrugor Rrëshen-Burrel, kanë konstatuar të djegur një automjet tip “Golf V”. Gjatë këqyrjes së automjetit, në brendësi të tij janë gjetur dy armë zjarri kallashnikov, të djegura pjesërisht, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.
Nga verifikimet e kryera rezulton se automjeti tip “Golf”, i konstatuar i djegur, ishte shpallur në kërkim nga DVP Elbasan më datë 31.07.2025, pasi kishte bërë kallëzim pronari i tij, shtetasi K. R., banues në Përrenjas, se i kishin vjedhur këtë automjet.
Shërbimet e Policisë po vijojnë kontrollet në zonën ku mund të kenë lëvizur autorët e dyshuar dhe po bashkëpunohet me DVP Tiranë, Lezhë e Kukës.
Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, vijon intensivisht veprimet me qëllim zbardhjen e rrethanave, sigurimin e provave që do të çojnë në identifikimin dhe kapjen e autorëve.
