Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, ka lëshuar akuza ndaj Prokurorisë së Posaçme (SPAK) për mosveprim sa i përket kërkesës për heqjen e imunitetit dhe arrestimin e zëvendëskryeministres Belinda Balluku. Në ditën e tretë të reagimeve të tij publike për këtë çështje, Bardhi nënvizoi se pozita penale e zyrtares së lartë është rënduar ndjeshëm pas zbulimeve të fundit.
Përfaqësuesi i opozitës bëri me dije se ndaj Ballukut janë zbuluar dy vila të fshehura të cilat tashmë janë sekuestruar nga drejtësia, si dhe janë renditur tri akuza të reja që përfshijnë korrupsionin, pastrimin e parave dhe fshehjen e pasurisë. Megjithatë, sipas Bardhit, organi i akuzës po dështon të zbatojë standardet e veta për rëndimin e masës së sigurisë përballë provave të reja.
“Pozita penale e Belinda Ballukut është rënduar, por SPAK nuk vepron për rëndimin e masës së sigurisë dhe vazhdon t’i japë kohë Edi Ramës për manovra politike. Pse nuk vepron SPAK? Çfarë tjetër duhet të ndodhë që drejtuesi i SPAK të mos shkelë mbi standardin e deklaruar prej vetë atij se, kur pozita penale rëndohet, rëndohet edhe masa e sigurisë?”, u shpreh ai.
Më tej, kreu i grupit parlamentar të PD-së deklaroi se kjo vonesë po i shërben interesave të ngushta politike në dëm të zbatimit të ligjit. “Çdo ditë që kalon pa kërkesën për heqjen e imunitetit për arrestimin e Belinda Ballukut është në favor të ‘Aleancës së Valamarit’ kundër sundimit të ligjit,” përfundoi reagimin e tij Gazment Bardhi.
