Disa detaje të reja kanë dalë nga shpërthimi me tritol mbrëmë me 12 shtator në qendër të Shkodrës.

Lënda plasëse në banesën e shtetasit Mehdin Bushati, shumë afër bashkisë Shkodër mendohet se është vendosur nga një person i cili më pas është larguar me motor.

Nga kamerat e sigurisë, autori i dyshuar, mendohet se ka lëvizur i vetëm dhe është maskuar, duke mbajtur një skafandër në kokë dhe motorin e kishte përshtatur si një shpërndarës picash.

Pas shpërthimit me tritol ku nuk pati të lënduar por vetëm dëme materiale, shtetasi Mehdin Bushati, me profesion mësues ka deklaruar se ai nuk ka asnjë dijeni lidhur me ngjarjen.

Mësuesi i cili ndodhej në shtëpi bashkë me bashkëshorten e tij kur ndodhi ngjarja sipas burimeve nuk është treguar aq bashkëpunues me policinë.

Lënda plasëse sipas hetimeve të deritanishme të grupit hetimor mund të lidhet me vëllain e mësuesit, shtetasin Gëzim Alias Naser Bushati i cili prej vitesh ndodhet në Gjermani dhe hera e fundit kur ishte në Shqipëri daton 2-3 vite më parë. Në katin e parë jeton mësuesi Mehdin Bushati ndërsa kati i dytë i ndërtesës i përket vëllait të tij.

Gëzim Bushati i cili e ka ndryshuar emrin në Naser sipas burimeve ka qenë i dënuar me burg, një herë me 5 vite dhe një herë tjetër me dy vite në Rumani dhe Gjermani.

Për shkak të problemeve që mund të ketë jashtë vendit, policia vendore e Shkodrës dyshon se lënda plasëse u hodh në banesën e tij me qëllim për t’i dhënë një mesazh kërcënues.

Po ashtu mendohet se autori i dyshuar është një person me pagesë i cili afrohet, hedh lëndën plasëse brenda oborrit dhe më pas largohet në drejtim të paditur pa lënë gjurmë.

Deri më tani grupi hetimor nuk e ka identifikuar ende autorin e maskuar ndërsa po punohet përmes kamerave të sigurisë.

Shpërthimi rreth orës 21:30 të mbrëmjes së djeshme në Shkodër ishte shumë i fuqishëm, teksa ka tronditur banorët në qendër të qytetit por edhe zona të tjera. Në të njëjtën kohë dhjetra turistë që ndodheshin në zonën përreth qendrës janë frikësuar ndjeshëm.

Në momentin e ngjarjes, pak metra më tutje në sheshin para bashkisë Shkodër po zhvillohej një koncert me muzikë dhe lojëra për fëmijët dhe familjet shkodrane.

Policia vijon punën për ta zbardhur të plotë këtë ngjarje të rëndë.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb