Një varr monumental i llojit mauzoleum, i dalë në dritë në kërkime arkeologjike të zhvilluara në Strikçan të Bulqizës, është bërë pjesë listës së finalistëve për Çmimin Ndërkombëtar të Zbulimit Arkeologjik “Palmyra”. Përvecc si finalist, zbulimi është nominuar edhe për “Çmimin Special”. Lajmi ëshët konfirmuar nga Akademia e Shkencave ndërsa vlerësimet për gërmimet arkeologjike, do të prezantohen në kuadër të edicionit të 28-të të Bursës Mesdhetare të Turizmit Arkeologjik (BMTA), i cili do të zhvillohet nga data 29 tetor deri më 1 nëntor 2026, në Paestum, Itali.
“Renditja në listën e 5 zbulimeve arkeologjike më të rëndësishme të vitit në nivel global, së bashku me zbulimet e kryera në sitet e njohura si Pompeii, Vulci, Egjipt dhe Turqi, është dëshmi e potencialit të lartë shkencor që mbart ky zbulim. Pjesëmarrja e vendit tonë në këtë event për herë të parë, nëpërmjet këtij zbulimi, është një mundësi e shkëlqyer për promovimin e trashëgimisë sonë kulturore në arenën ndërkombëtare”, vëren Akademia. Sipas arkeologut, Erikson Nikolli, përzgjedhja është bërë nga organizatorët e Borsa Mediterranea del Turismo Archaeologico (BMTA), si 1 nga 5-së zbulimet më të rëndësishme të vitit 2025 në botë. “Gjej rastin sërish të falenderoj ekipin, miqtë, banorët e Strikçanit, Bashkinë Bulqizë, Institutin e Arkeologjisë dhe Akademinë e Shkencave të Shqipërisë për kontributin e tyre në këtë sukses”, tha arkoelogu.
Sipas hulumtimeve të deritanishme, ky monument i veçantë ofron të dhëna thelbësore të reja e të rëndësishme arkeologjike, historike e epigrafike, në një zonë të pastudiuar më parë dhe hedh dritë mbi dinamikat sociale, organizimin e elitave lokale dhe arkitekturën funerare gjatë periudhës romake të vonë në Luginën e Bulqizës e më gjerë. “Nëpërmjet këtij zbulimi, hapet një kapitull i ri studimi që ndihmon për të kuptuar më shumë mbi rrjetet e komunikimit dhe transformimet sociale në brendësi të provincave gjatë kësaj periudhe”, thotë Akademia e Shkencave.

