Në edicionin e 83-të të Festivalit e Filmit në Venecia u prezantua dokumentari “Përtej Murit-Nëna e Këshillit të Mirë”, duke përcjellë momente të dhimbshme të historisë shqiptare luftërat, pushtimet, largimin e njerëzve nga atdheu dhe vitet e diktaturës komuniste. Me ide dhe regji të Gjon Kolndrekajt dhe skenar të Pal Kolndrekajt dokumentari sjell një rrëfim që lidh Shqipërinë me Italinë, përmes një historie që nis në Shkodër dhe udhëton përtej kufijve në Gennezano për afro 6 shekuj.

“Çdo papë ka pasur imazhin e tij, si Gjon Pali i Dytë ashtu dhe Françesku. Ndërsa Papa Leoni i 14-të ka Nënën e Këshillit të Mirë. E pamë që në nisje të misionit të tij, prandaj për mua ishte kënaqësi t’ia prezantoja botës Shqipërinë në këtë dimension sepse nuk e dinë historinë tonë si popull”, tha autori Gjon Kolndrekaj.

Patriarku i Vencias, Imzot Francesco Moraglia tha se të flasësh për Zonjën e Këshillit të Mirë do të thotë të flasësh për një identitet përmes kujtesës.

“Zoja e Këshillit të Mirë është historia e një populli që ka njohur ndarjet, ndryshimet kulturore, përkatësitë e ndryshme fetare dhe që gjatë shekullit të njëzetë përjetoi formën më të ashpër të përndjekjes. Prandaj, të flasësh për Zojën e Këshillit të Mirë do të thotë të flasësh për një identitet përmes kujtesës”, u shpreh ai.
Arqipeshkvi i Shkodrës, Imzot Giovanni Peragine dhe Rektori i Bazilikës “Nëna e Këshillit të Mirë” ndanë me të pranishmit pak nga historia e përndjekjes së klerikëve katolikë gjatë periudhës së komunizmit, kur besimi fetar u ndalua dhe institucionet fetare u rrënuan.

“Zoja e Këshillit të Mirë për shqiptarët është pjesë e identitetit të tyre kulturor dhe fetar, që e ka shoqëruar këtë popull gjatë gjithë historisë së tij, duke filluar nga pushtimet, nga luftërat, nga përndjekjet, por edhe në rikthimin te feja, që u ndalua për afro 50 vite me radhë”, u shpreh Giovanni Peragine, Arqipeshkës i Shkodrës.

Për Dom Artur Jakun, rektori i Bazilikës së Zojës në Shkodër, “ata që e njohin mirë Shqipërinë e dinë se shqiptarët nuk kanë reshtur kurrë së besuari dhe së mbajturi në zemër Nënën Mari. Nëse gjatë komunizmit mbaje në shtëpi një ikonë të shenjtë ose një kryq arrestoheshe, madje mund të pushkatoheshe. Shqiptarët e ruajtën gjithçka fshehurazi, edhe imazhin e Zonjës së Bekuar, sepse pikërisht ky imazh ishte mesazh shprese e besimi.”

Historiani Pjerin Mirdita thotë se dokumentari vjen si një rrëfim mbi atë që koha nuk mundi ta fshijë.
Një histori shqiptare që nis në Shkodër, kalon përmes Italisë dhe tashmë shkon drejt një audience ndërkombëtare. Sepse muret mund të ndajnë vende dhe njerëz, por nuk mund të ndajnë kujtesën nga rrënjët.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb