Me temën “Lufta, vendosja e paqes, shteti i se drejtës dhe përkujtimi i viktimave” nis të hënën në Tiranë, edicioni i 21-të, i Festivalit Ndërkombëtar i Filmit për të drejtat e njeriut, organizuar nga Akademia e Filmit dhe Multimedias Marubi. 39 filma pjesëmarrës trajtojnë subjekte me histori komplekse të luftërave aktuale, lidhen me memoriet arkivore materiale e shpirtërore dhe memoriet e viktimave dhe të zhdukurve.

Një vend në program zënë filma që trajtojnë marrëdhëniet e reja të krijuara me arkivat virtuale dhe inteligjencën artificiale. Disa filma trajtojnë krizat individuale e shoqërore, kriza të establishmenteve lokale dhe ndërkombëtare. Një sërë normash etike e morale po përplasen me interesa shfrytëzuese burimesh natyrore e njerëzore, në formë izomorfike mbi rrjedhën e pandalshme të historisë së njerëzimit, vëren drejtori ekzekutiv Kujtim Çashku.

Përmes filmave trajtohen interesa të ndryshme strategjike që pëfshijnë Rusinë, NATO-n dhe Kinën dhe SHBA-në, duke parë edhe pasojat e marrëdhënieve të Evropës dhe Amerikës, të rimodeluara nga presidenti Trump. Investimet në armatim, tekniciteti i brendshëm Europian jo unitar mbetet dilematik për të ardhmen e saj, duket edhe në këto prodhime filmike, ndërsa mbi Ballkan shtegtojnë fantazma gjeopolitike, që mbajnë gjallë vet-viktimizimet e saj historike. Filmi “Dua” i Blerta Basholllit, që tregon jetën e të rinjve gjatë luftës në Kosovë, teksa po korr sukses ndërkombëtar, vjen në festival më 18 shtator bashkë me regjisoren.

Ndërkaq, tema si e Mbrojtja e Evropës, propagande ruse deri në familje, filma fitues çmimesh ndërkombëtare si filmi spanjoll “Të dielat” që hap festivalin plotësojnë mozaikun e një festivali që në 21 vite, na përball me dinamikat e shoqërisë njerëzore, edhe kur ato fshihen e janë masakra e gjenocid.

Mes tyre, krejt aktual për Shqipërinë është filmi “Policia e dialogut”, një film magjepsës mbi policinë që mbron lirinë e fjalës dhe demokracinë. Ai shfaqet në Akademinë e Sigurisë para studentëve që do të bëhen policë, për të treguar rolin që ka policia në një demokraci si ajo suedeze. Kjo njësi policore, përpiqet të sigurojë që çdo qytetar të ketë mundësinë të shprehë mendimin e vet dhe është e armatosur vetëm me fjalë dhe një durim të jashtëzakonshëm.

Në një kohë kur dialogu demokratik është nën presion, ky film sjell një rrëfim të fuqishëm mbi paradoksin e mbrojtjes së lirisë së shprehjes së të tjerëve dhe në një kohë protestash masive në Shqipëri, na jep një tjetër model të policisë. Festivali do vazhdojë të shtrihet në sistemin edukativ shkollor e universitar, si dhe në një varg institucionesh shtetërore në shërbim të një kulture reflektimi e kriticizmi ndaj shfaqjeve të shkeljeve të të drejtave të njeriut.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb