Mijëra njerëz dolën të dielën në rrugët e Sinaloas, në veriperëndim të Meksikës, për të protestuar kundër dhunës së kartelit famëkeq të drogës, i cili prej dy vitesh është përfshirë në një konflikt të përgjakshëm mes fraksioneve rivale. Rreth 10 mijë protestues, të veshur me të bardha, marshuan në Culiacan, kryeqytetin e shtetit, duke kërkuar fundin e vrasjeve dhe rikthimin e paqes. Protesta u zhvillua pas një thirrjeje të Kishës Katolike, aktorëve ekonomikë dhe familjeve të viktimave të dhunës.

Në fillim të marshimit, protestuesit lëshuan në qiell dhjetëra tullumbace të bardha dhe më pas u drejtuan drejt katedrales së Culiacan. “Nuk duam më vdekje, më vrasje”, tha për AFP 62-vjeçarja Maricela Perez, e cila mbante në duar portretin e djalit të saj 36-vjeçar, Miguel, i vrarë në maj pasi u qëllua me armë zjarri në një fushë volejbolli. Kryepeshkopi i Culiacan, Jesús José Herrera, u bëri thirrje autorëve të krimeve t’i japin fund dhunës. “Asnjë rajon dhe asnjë ambicie nuk vlen më shumë se një jetë njerëzore”, deklaroi ai. Konflikti brenda kartelit Sinaloa ka shkaktuar të paktën 3 mijë viktima gjatë dy viteve të fundit, mes tyre edhe shumë civilë të pafajshëm. Vetëm javën e kaluar, një foshnjë njëvjeçare u vra nga një plumb i humbur gjatë një shkëmbimi zjarri.

“Është e tmerrshme. Ndihemi të braktisur dhe ky marshim është mënyra jonë për të thënë se, pavarësisht gjithë kohës që ka kaluar, ne refuzojmë ta konsiderojmë dhunën si diçka të zakonshme. Ne duam paqe”, tha protestuesja 33-vjeçare Marlene Leon. Karteli Sinaloa u themelua në vitet 1980 nga Joaquín “El Chapo” Guzmán dhe Ismael “El Mayo” Zambada. Pas arrestimit të “El Chapos” në vitin 2016 dhe ekstradimit të tij në SHBA, ku po vuan dënim të përjetshëm, tensionet mes dy kampeve u përshkallëzuan. Që prej shtatorit 2024, fraksionet e lidhura me familjet e “El Chapos” dhe “El Mayos” janë përfshirë në përleshje të vazhdueshme, duke e kthyer Culiacanin në një nga zonat më të rrezikuara të vendit. Përplasjet me armë raportohen pothuajse çdo ditë.

Qeveria e presidentes Claudia Sheinbaum ka dislokuar rreth 15 mijë ushtarë në Sinaloa, ndërsa autoritetet kanë shtuar konfiskimet e armëve dhe drogës. Megjithatë, masat nuk kanë arritur të ndalin valën e dhunës. Vetëm të shtunën, të paktën shtatë persona u vranë. Protesta mori edhe një dimension politik, pasi një pjesë e demonstruesve brohoritën kundër presidentes Sheinbaum, ndërsa disa prej tyre dogjën një kukull prej kartoni me imazhin e saj. Protestuesit e akuzojnë qeverinë për lidhje me ish-guvernatorin e Sinaloas, Rubén Rocha Moya, i cili është përmendur nga autoritetet amerikane për lidhje të dyshuara me kartelet. Uashingtoni ka kërkuar arrestimin dhe ekstradimin e Rocha Moyas, por qeveria meksikane ka refuzuar ta miratojë kërkesën, duke argumentuar se autoritetet amerikane nuk kanë paraqitur prova bindëse ndaj tij.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: