Barça nuk di të ndalet në La Liga, me ekipin e Hansi Flick që “thyen” edhe Leveante, del me 3 pikë pas suksesit 4-2 në transfertë. Tifozët blaugrana po shijojnë një super Lamine Yamal, me yllin spanjoll që zhvilloi një tjetër ndeshje fantastike duke realizuar një “dopjetë” golash. Xavi Expart hapi siparin e golave duke gjetur rrugën e rrjetës pas vetëm 5 minutash lojë. Në të 19-të, Raphinha ftoi Yamal, me brazilianin që futi një top të pastër në zonë, aty ku Yamal e kishte të lehtë të dyfishonte shifrat.

Barça e nisi me gol edhe fraksionin e dytë, ku sërish protagonist ishte Yamal. Sulmuesi spanjoll fitoi një penallti dhe po vetë u tregua i saktë duke dërguar rezultatin në 0-3. Barça filloi të lëshonte terren, me Levanten që reagoi fuqishëm ku fillimisht ngushtuan shifrat me Romeron, ndërsa në të 88-tën, Brugue dërgoi rezultatin në 2-3 duke e bërë më emocionues fundin e këtij takimi. Për të mbyllur llogaritë me Levanten mendoi Adeyemi, me sulmuesin gjerman që realizoi një gol shumë të bukur pas një aksioni personal. Falë këtij suksesi 4-2 ndaj Levantes, Barça qëndron e qetë në krye me 15 pikë të plota pas 5 ndeshjeve, 3 më shumë se Real Madrid.

Pavarësisht se ekipi i tij triumfoi me “poker” golash, Hansi Flick u shfaq i pakënaqur me lojën e ekipit të tij në këtë transfertë: “Nuk ishte ndeshja jonë më e mirë. E nisëm shkëlqyeshëm, por më pas, në pjesën e dytë hasësh shumë vështirësi. Duhet të jemi më të qetë pasi kryesojmë 3-0”, u shpreh Flick.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb