PD dorëzon kërkesë për ngritjen e një Komisionit Hetimor për “KAYO”-n. Deputeti i Partisë Demokratike, Klevis Balliu, deklaroi se zhvillimet e fundit kanë ngritur pikëpyetje serioze që lidhen me sigurinë kombëtare, kontrollin shtetëror dhe aktivitetin e kompanisë në sektorin e armëve dhe teknologjisë ushtarake.

Sipas Balliut, një nga emrat që kërkon verifikim të plotë është ai i Ron Yeffet, për të cilin deputeti ngre pyetje mbi marrëdhëniet e tij me struktura të lidhura me KAYO-n, si dhe mbi lidhjet e raportuara me rrethin e Edi Ramës. “Emri i Ron Yeffet kërkon përgjigje. Po kështu kërkon verifikim çdo informacion mbi përfshirjen e tij në hetimet që lidhen me dosjen e AKSHI-t. Nëse kjo rrethanë konfirmohet nga organet kompetente, atëherë kemi një arsye edhe më të fortë që të zbardhen të gjitha marrëdhëniet ekonomike dhe institucionale”, deklaroi Balliu.

Ai ka ngritur gjithashtu pikëpyetje mbi krijimin, më 23 mars 2026, të shoqërisë “Timak Horse Club”, me pronar përfitues Ron Yeffet, dhe lidhjen e aktivitetit të saj me “Equos Resort” në Petrelë. Balliu thekson se kronologjia mes krijimit të kompanisë dhe zhvillimeve të mëvonshme që lidhen me pasuritë e Ergys Agasit dhe “Equos Resort” nuk përbën, në vetvete, provë të një vepre penale, por sipas tij është një rrethanë që duhet verifikuar nga institucionet kompetente. Deputeti i PD-së kërkon që SPAK të verifikojë çdo lidhje të mundshme mes Yeffet, Agasit, “Equos Resort”, “Timak Horse Club” dhe personave apo subjekteve të përfshira në hetimet e AKSHI-t. Në fokusin e Komisionit Hetimor, sipas Balliut, duhet të jetë edhe mënyra se si janë përzgjedhur partnerët e KAYO-s, kontratat e lidhura, kontrolli shtetëror mbi aktivitetin, importi dhe eksporti i armëve, si dhe respektimi i detyrimeve ndërkombëtare dhe interesit të sigurisë kombëtare.

“Parlamenti nuk po kërkon të zëvendësojë SPAK-un. SPAK duhet të hetojë çdo dyshim për vepra penale. Parlamenti ka detyrimin kushtetues të ushtrojë kontrollin parlamentar dhe të zbardhë përgjegjësinë politike dhe institucionale”, tha Balliu. Ai i ka bërë thirrje qeverisë që të votojë pro Komisionit Hetimor dhe të vendosë në dispozicion të tij të gjithë dokumentacionin. “Nëse nuk ka asgjë për të fshehur, pse duhet të trembet qeveria nga hetimi parlamentar? Nëse KAYO është krijuar për interesin e mbrojtjes së vendit, atëherë transparenca duhet të jetë e plotë.”. Balliu e mbylli deklaratën me një paralajmërim politik: “Kur bëhet fjalë për armë, para publike dhe sigurinë kombëtare, askush nuk mund të jetë mbi ligjin. As Edi Rama, as njerëzit pranë pushtetit dhe asnjë kompani private. Shteti shqiptar nuk mund të jetë mburojë për askënd.”.

DEKLARATA
Kemi depozituar kërkesën për ngritjen e një Komisioni Hetimor Parlamentar për KAYO-n, sepse ato që po dalin në dritë nuk mund të trajtohen më si një çështje e zakonshme administrative.
Kemi përballë një kompani shtetërore që operon në një sektor strategjik, atë të armëve, municioneve dhe teknologjisë ushtarake. Kemi partneritete ku shteti shqiptar ngre pikëpyetje mbi kontrollin dhe pozicionin e tij. Kemi kontrata dhe pagesa me vlera të konsiderueshme. Kemi pikëpyetje serioze mbi përzgjedhjen e partnerëve dhe, mbi të gjitha, kemi materiale të bëra publike që kërkojnë verifikim të plotë mbi dyshimet për një skemë të mundshme të trafikimit, importimit dhe ripaketimit të armëve.
Dhe në qendër të këtyre pikëpyetjeve shfaqet emri Ron Yeffet, një person që është lidhur publikisht me rrethin e Edi Ramës dhe që rezulton të jetë i përfshirë në marrëdhënie biznesi që lidhen me struktura të KAYO-s.
Por këtu shfaqet edhe një tjetër element që kërkon përgjigje.
Gjithashtu rezulton se emri i Ron Yeffet është përfshirë në hetimet që lidhen me grupin e strukturuar kriminal në dosjen e AKSHI-t. Nëse kjo rrethanë konfirmohet nga organet kompetente, ajo e bën edhe më të domosdoshëm verifikimin e plotë të marrëdhënieve të tij ekonomike dhe institucionale.
Në këtë kontekst, një tjetër fakt që kërkon shpjegim është krijimi, më 23 mars 2026, i shoqërisë “Timak Horse Club”, me pronar përfitues Ron Yeffet, dhe lidhja e aktivitetit të saj me “Equos Resort” në Petrelë.
Kronologjia kërkon vëmendje të veçantë: krijimi i kësaj kompanie ndodh vetëm pak javë përpara sekuestrimit të pasurive të lidhura me Ergys Agasin dhe pak ditë përpara ekzekutimit të sekuestrimit në “Equos Resort”.
Kjo kronologji, në vetvete, nuk përbën provë të një vepre penale. Por është një rrethanë konkrete që kërkon verifikim të plotë dhe shpjegim nga institucionet e drejtësisë.
Pyetjet janë të qarta:
Çfarë lidhjeje ka Ron Yeffet me Ergys Agasin dhe rrjetin e “Equos Resort”? Kush i dha të drejtën e përdorimit të këtij kompleksi? A ka pasur kontrata, pagesa, marrëveshje apo transaksione mes tyre? Çfarë marrëdhënieje ka kjo kompani me aktivitetet e tjera të personave dhe subjekteve që janë nën hetim? Dhe a ka ndonjë lidhje mes këtyre marrëdhënieve dhe çështjeve të hetuara në dosjen e AKSHI-t?
Këto nuk janë pyetje që mund të mbyllen me propagandë politike.
SPAK duhet të verifikojë çdo lidhje të mundshme mes Ron Yeffet, Ergys Agasit, “Equos Resort”, “Timak Horse Club” dhe personave e subjekteve të përfshira në dosjen e AKSHI-t.
Sepse nëse këto marrëdhënie janë të ligjshme, transparenca duhet t’i sqarojë. Nëse nuk janë të ligjshme, drejtësia duhet të veprojë.
Kjo nuk është më një histori për t’u fshehur pas propagandës qeveritare.
Nëse rezulton se një kompani shqiptare është përdorur për të importuar armë nga vende të treta, për t’i ripaketuar apo paraqitur në një formë tjetër dhe më pas për t’i futur në tregjet ndërkombëtare, atëherë nuk kemi më përpara një problem thjesht ekonomik. Kemi një çështje që prek drejtpërdrejt sigurinë kombëtare, reputacionin ndërkombëtar të Shqipërisë dhe detyrimet tona si vend anëtar i NATO-s.
Dhe pyetjet janë të qarta:
Çfarë roli ka pasur Ron Yeffet? Kush e ka afruar me këtë strukturë? Kush e ka sjellë në marrëdhënie me institucionet shqiptare? Kush ka negociuar? Kush ka firmosur? Kush ka kontrolluar armët që kanë hyrë dhe kanë dalë nga territori shqiptar? Dhe, mbi të gjitha, a ka pasur Edi Rama dijeni për këto marrëdhënie dhe aktivitete?
Sepse nuk mund të ndërtojmë një shtet ku njerëzit pranë pushtetit shfaqen në marrëdhënie me bizneset strategjike, ku shteti financon, garanton dhe vendos në dispozicion asetet publike, ndërsa kur lindin pyetje mbi përgjegjësinë, papritur askush nuk di asgjë.
Ne nuk po kërkojmë që Parlamenti të bëjë punën e SPAK-ut. Përkundrazi: SPAK duhet të hetojë çdo dyshim për vepra penale. Parlamenti ka detyrimin kushtetues të ushtrojë kontrollin parlamentar dhe të zbardhë përgjegjësinë politike dhe institucionale.
Komisioni Hetimor duhet të verifikojë nëse janë respektuar ligji dhe procedurat, nëse ka pasur kontroll real shtetëror, nëse janë respektuar rregullat për importin dhe eksportin e armëve, detyrimet ndërkombëtare dhe interesat e sigurisë kombëtare.
Dhe qeveria ka vetëm një rrugë: të votojë pro Komisionit Hetimor dhe të hapë çdo dokument.
Nëse nuk ka asgjë për të fshehur, pse duhet të trembet nga hetimi parlamentar?
Nëse KAYO është krijuar për interesin e mbrojtjes së vendit, pse lindin kaq shumë pikëpyetje mbi kontrollin real të shtetit mbi këtë sektor strategjik?
Dhe nëse gjithçka është e ligjshme, pse vazhdojnë të mbeten pa përgjigje pyetjet mbi Ron Yeffet, KAYO-n, marrëdhëniet me Ergys Agasin, “Equos Resort”, dosjen e AKSHI-t dhe rrethin e Edi Ramës?
Ne nuk do të lejojmë që siguria kombëtare të kthehet në një biznes privat, ndërsa institucionet shqiptare të përdoren si perde për marrëdhënie të paqarta.
KAYO duhet të hetohet.
Roli i Ron Yeffet duhet të verifikohet.
Marrëdhëniet me institucionet shtetërore duhet të zbardhen.
Lidhjet me Ergys Agasin, “Equos Resort” dhe dosjen e AKSHI-t duhet të hetohen.
Dhe çdo përgjegjësi, politike apo penale, duhet të dalë përpara drejtësisë.
Sepse kur bëhet fjalë për armë, para publike dhe sigurinë kombëtare, askush nuk mund të jetë mbi ligjin.
As Edi Rama. As njerëzit e tij. Asnjë kompani private.
Shteti shqiptar nuk mund të jetë mburojë për askënd.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: