PSG merr fitoren e parë të sezonit në Ligue 1.Pas një starti jo pozitiv, teksa ekipi Luis Enriques kishte grumbulluar vetëm 2 pikë në 3 javët e para, më në fund regjistrohet edhe fitorja e pare në kampionat. Kampionët në fuqi triumfuan 1-0 në transfertë ndaj Brestit, në një ndeshje ku protagonist kryesor ishte portieri Matvey Safonov.

Parisienët kaluan në avantazh që në minutën e pestë. Pas pasimit të João Neves dhe devijimit të Ousmane Dembélés, Ferran Torres goditi nga distanca, duke e dërguar topin në cepin e portës.

PSG e mbylli pjesën e parë në avantazh, por pas pushimit Bresti rriti presionin. Në minutën e 50-të, Kamory Doumbia iu afrua barazimit, por goditja e tij u ndal nga shtylla.

Dy minuta më vonë, PSG gjeti edhe golin e dytë, por ai u anulua për një faull të Warren Zaire-Emery. Bresti vazhdoi të kërkonte golin, por Safonov ishte vendimtar, duke ndalur disa tentativa të vendasve, ndërsa në krahun tjetër João Neves humbi mundësinë për të vulosur ndeshjen.

Në fund, PSG rezistoi dhe mori tri pikët, duke regjistruar fitoren e parë në kampionat dhe duke u ngjitur në kuotën e pesë pikëve pas katër javësh.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: