Unioni i Gazetarëve Shqiptarë ka reaguar pas kërcënimeve me jetë ndaj gazetarit të News24 Osman Stafa.

Në reagim theksohet se rasti duhet të zbardhet me urgjencë dhe autorët duhet të përballen me ligjin.

Reagimi:

Unioni i Gazetarëve Shqiptarë shpreh reagimin e vet pas denoncimit të gazetarit dhe vepruimtarit Osman Stafa për kërcënim në adresën personale në rrjetin social fb.
Në kallëzimin zyrtar të depozituar pranë Drejtorisë për Hetimet e Krimeve Kibernetike në Policinë e Shtetit, gazetari ka specifikuar përmbajtjen reale kërcënuese.
Vetë reporteri Stafa deklarohet se ky kërcënim dyshohet se ka lidhje me një material filmik të realizuar dhe publikuar prej tij gjatë një proteste, pjesëmarrës i rregullt i të cilave është si gazetar dhe veprimtar. Në këtë material të pretenduar, ka dokumentuar veprime të disa civilëve gjatë ndalimit dhe arrestimit të një protestuesi.
UGSH konstaton se pretendime të tilla dhe episode përballjesh me grupe apo individë agresivë, gazetari Stafa ka pasur edhe më herët.
Rasti i fundit i mesazhit kërcënues, duhet zbardhur me urgjencë dhe personat përgjegjës duhet të përballen me ligjin. Organet e hetimit ndaj kërcënimesh të tilla duhet të veprojnë në kohë dhe me profesionalizëm.
Unioni i Gazetarëve Shqiptarë vërren se gjatë kësaj periudhe të protestave mbi tre mujore të zhvilluara në Tiranë, persona të ndryshëm dhe fansa partiakë e politikë shpesh përballen verbalisht me gazetarët dhe në hapësirën virtuale vihet re një ndotje e tmerrshme etike me stigmatizime dhe sulme ndaj gazetarëve aktivë.
Në të njëjtën kohë UGSH e gjen me vend t’u bëjë apel kolegëve dhe mediave se kjo është një periudhë me krizë politike, me probleme të akumuluara nga administrimi dhe dasitë politike, me klimë të ashpër fushate dhe lëvizjesh shoqërore. Si e tillë, në kësi rastesh kodet tona të etikës sugjerojnë se misioni i gazetarit duhet të respektojë statusin dhe parimet deontologjike. Ne vërejmë në jo pak raste, kur aktivizmi, në disa momente edhe politik, i individëve brenda komunitetit tonë profesional, cënon paanshmërinë, balancën dhe parimet klasike të gazetarisë.
Këmbëngulja, forca dhe kurajua raportuese, investigimi dhe ndjekja pa pengesë e të vërtetave që lidhen me korrupsion, keqqeverisje, kriminalitetin dhe botën e përvetësimeve financiare janë tiparet e gazetarëve profesionistë.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb