Diego Moreira ishte heroi i Milanit në barazimin 2-2 ndaj Lacios. I aktivizuar në fillim të pjesës së dytë, sulmuesi shënoi dy gola të bukur brenda vetëm dy minutash, duke rikthyer kuqezinjtë në lojë dhe duke i dhënë skuadrës së Ruben Amorimit një pikë të rëndësishme.
Pas ndeshjes, Moreira pranoi se ishte i lumtur për dopietën e parë në karrierë, por jo plotësisht i kënaqur. “Jam shumë i lumtur për dy golat e parë, por do të isha edhe më i lumtur nëse do të kishim fituar. Nuk ishte një ndeshje e lehtë, por mendoj se bëmë një pjesë të dytë shumë të mirë dhe meritonim më shumë”, u shpreh ai.
“Mund të luaj në çdo pozicion”
Moreira foli edhe për pozicionin e tij në fushë dhe për ndryshimin e paraqitjes së tij në krahasim me ndeshjen ndaj Torinos. “Nuk do të thoja se ndaj Torinos isha i ndrojtur. Ishte për mua një hyrje në futbollin italian dhe luanim ndaj një skuadre të madhe. Trajneri më kërkoi gjëra të ndryshme. Sot luajta në të majtë, por mund të luaj në të dy krahët. Për mua nuk ka shumë rëndësi”, tha portugezi.
Ai theksoi se është gati të përshtatet me çdo rol që i kërkon Amorimi: “Mund të luaj djathtas, majtas apo edhe më përpara. Kudo që më vendos trajneri, do të jap maksimumin dhe do të përpiqem të bëj më të mirën për ekipin”. Moreira vlerësoi edhe punën e skuadrës gjatë javës, duke nënvizuar rëndësinë e bashkëpunimit mes lojtarëve. “Gjatë gjithë javës unë dhe shokët e skuadrës punojmë shumë. Ndihmojmë dhe përmirësojmë njëri-tjetrin dhe mendoj se kjo na bën më të fortë”, deklaroi ai.
Në fund, 22-vjeçari ia la gjithçka trajnerit: “Unë stërvitem, jap maksimumin dhe më pas trajneri vendos nëse do të luaj, nëse do ta nis ndeshjen apo do të hyj gjatë saj. Unë do të jap gjithmonë maksimumin. Kjo është pjesë e imja”.
