Partia e Lirisë ka reaguar pas kërcënimit me vdekje ndaj gazetarit të News24, Osman Stafa, duke e dënuar ashpër ngjarjen. Në deklaratën e saj, PL e lidh kërcënimin me publikimin e pamjeve nga protesta e 8 shtatorit pranë Parlamentit, ku gazetari dokumentoi përplasjet mes policisë dhe protestuesve.

Ne reagimin e Sekretarit të Përgjithshëm të PL, Tedi Blushi, theksohet se autorët e kërcënimit duhet të identifikohen dhe të përballen pa vonesë me drejtësinë, ndërsa përgjegjësia politike për klimën e presionit ndaj gazetarëve i atribuohet kryeministrit Edi Rama. PL akuzon qeverinë për krijimin e një klime intimidimi dhe sulmesh ndaj fjalës së lirë.

Partia e Lirisë kërkon një hetim të menjëhershëm, të plotë dhe transparent për rastin, si dhe garantimin e sigurisë së gazetarit Osman Stafa. Gjithashtu, kërkon transparencë mbi veprimet e strukturave të policisë të dokumentuara në pamjet e publikuara gjatë protestës.

Në përfundim të deklaratës, PL shprehet se qëndron në krah të Osman Stafës dhe gazetarëve të pavarur, duke e cilësuar mbrojtjen e fjalës së lirë si një nga themelet e demokracisë.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb