Anëtari i Kryesisë së PD, Grigels Muçollari, ka reaguar pas kërcënimit me vdekje ndaj gazetarit Osman Stafa, duke e krahasuar rastin me klimën e krijuar ndaj gazetarëve kritikë.

Muçollari thotë se kërcënimi lidhet me pamjet e publikuara nga protesta para Kuvendit dhe akuzon Kryeministrin për normalizimin e një retorike agresive ndaj zërave kritikë.

“Kjo gjuhë prodhon një lloj ‘karta bianca’ për të kërcënuar”, shprehet Muçollari, duke kërkuar hetim të shpejtë dhe serioz për identifikimin e autorëve.

Reagimi i plotë:

Karta Bianca e pushtetit

Gazetari Osman Stafa është kërcënuar sërish. Mbrëmë, në llogarinë e tij në Facebook, ka marrë një mesazh ku kërcënohet me vdekje.

Në kallëzimin e bërë, vetë Stafa e lidh kanosjen me videot e publikuara nga protesta e 8 shkurtit para Kuvendit, ku ka evidentuar persona me veshje civile duke ushtruar dhunë dhe duke tërhequr zvarrë protestues. Pra, një kërcënim që lidhet me punën si gazetar.

Por Osman Stafa nuk kërcënohet për herë të parë. Dhe, mbi të gjitha, nuk është i vetmi.

Gazetarë të tjerë, por edhe qytetarë kritikë ndaj pushtetit, janë përballur në mënyrë të përsëritur me presion, intimidim, kërcënime apo sulme. Pra, kemi raste të përsëritura, nuk po flasim vetëm për episode të izoluara. Tani, pyetja që shtrohet është:

Çfarë klime i bën kërcënimet kaq të lehta?

Një klimë që ka frymëzimin dhe ushqehet nga lart.

Prej vitesh, Kryeministri ka normalizuar një gjuhë agresive ndaj gazetarëve kritikë: etiketime, fyerje, përqeshje dhe delegjitimim publik sa herë që pyetjet apo denoncimet e tyre bëhen të parehatshme për pushtetin.

Kjo gjuhë prodhon diçka më të rrezikshme se vetë fyerja: një lloj karta bianca për të kërcënuar.

Jo një urdhër të shkruar. Jo një porosi të drejtpërdrejtë. Por perceptimin se gazetari kritik, qytetari që proteston apo ai që denoncon është një shënjestër e lejueshme. Se ndaj tij mund të ushtrohet presion, mund të intimidohet, mund të kërcënohet.

Kjo është karta bianca që jep retorika e pushtetit: ndjesinë se ndaj zërit kritik mund të shkosh gjithmonë një hap më tej.

Prandaj kërcënimi ndaj Osman Stafës nuk duhet parë vetëm si rasti i radhës. Duhet hetuar shpejt dhe seriozisht, për të zbuluar autorët, pasi motivet e tyre tashmë dihen.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb