Partia Demokratike ka kërkuar një seancë dëgjimore në lidhje me ngërçin e krijuar me pagat e magjistratëve.
PD kërkon që në seancë të jenë të pranishëm disa institucione, përfshirë: Këshillin e Lartë Gjyqësor, Këshillin e Lartë të Prokurorisë, Unionin e Gjyqtarëve të Shqipërisë, Shoqatën Kombëtare të
Gjyqtarëve të Shqipërisë, Shoqatën e Prokurorëve të Republikës së Shqipërisë, Drejtuesin e Prokurorisë së Posaçme, Prokurorin e Përgjithshëm dhe Kryetarin e Gjykatës së Lartë.
“Kërkesa e PD bazohet në vendimin e Gjykatës Kushtetuese nr. 15/2026, ku thuhet se: “Kjo nënkupton edhe që gjatë shqyrtimit dhe miratimit të propozimeve ligjore që prekin drejtpërdrejt garancitë kushtetuese të magjistratëve, ku përfshihen pagat e tyre, procesi ligjvënës duhet të përfshijë një analizë tërësore dhe të detajuar të qëllimit të synuar dhe pasojave të pritshme, sikundër duhet të sigurojë edhe pjesëmarrjen aktive të vet gjyqtarëve/magjistratëve ose grupimeve që i përfaqësojnë ata. Ky konsultim duhet të jetë, mbi të gjitha, edhe efektiv.”, sqaron PD.
Kërkesa:
Pranë Komisionit për të Drejtat e Njeriut dhe Mjetet e Informimit Publik, në cilësinë e komisionit për dhënie mendimi, është duke u shqyrtuar projektligji “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 96/2016 “Për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar”.
Në thelb, ky projektligj ka për qëllim për të “përmbushur detyrimin kushtetues të vendosur nga Gjykata Kushtetuese me vendimin nr. 15, datë 17.02.2026”, duke sanksionuar “norma të cilat garantojnë përllogaritjen e pagës së magjistratëve (gjyqtarë dhe prokurorë), në përputhje me vendimin e Gjykatës.” (shih fq. 1 të relacionit shoqërues).
Lidhur me procedurën parlamentare të ndjekur për miratimin e ndryshimeve ligjore tashmë të shfuqizuara (Ligji Nr. 33/2023), Gjykata Kushtetuese është shprehur se: “Gjatë procedurës parlamentare nuk rezulton të jetë dëgjuar as mendimi i gjyqtarëve/prokurorëve në lidhje me ndryshimet e reja ligjore. Gjatë seancës plenare përfaqësuesit e kërkuesit dhe subjektit të interesuar, KLGJ-së, u shprehën se disa grupe gjyqtarësh, individualisht ose nëpërmjet gjykatave kanë shprehur mendimet e tyre për ndryshimet ligjore, por se nuk kanë qenë pjesë e grupit të punës dhe as të thirrur nga komisionet përkatëse. Edhe pse KLGJ-ja, siç është shprehur në parashtrimet e saj drejtuar Gjykatës, ka shprehur dakordësinë për projektligjin, ajo ka evidentuar disa çështje që duhej të gjenin reflektim, për të cilat në aktet parlamentare nuk jepet shpjegim përse nuk janë pranuar. Ndërsa në mbledhjet e komisioneve (atij të Çështjeve Ligjore dhe të Ekonomisë) përveç përfaqësuesve të Ministrisë së Drejtësisë dhe të Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë, që kanë mbrojtur propozimin e tyre sipas projektligjit, nuk ka pasur përfaqësues të organeve të drejtësisë ose të vetë grupeve të interesit. Prandaj, në vlerësimin e Gjykatës, procesi i konsultimit, nga pikëpamja kushtetuese, nuk ka rezultuar të ketë qenë efektiv.” (shih vendimin Nr. 15/2026 të Gjykatës Kushtetuese, §98).
Ndërsa, lidhur me procedurën parlamentare që duhet të ndiqet në vijim, Gjykata Kushtetuese është shprehur se: “Parimi i shtetit të së drejtës dhe i sigurisë juridike kërkon, në aspektin formal, që elementet dhe parimet që lidhen me sistemin e pagave të magjistratëve të përcaktohen me ligj të miratuar nga Kuvendi, përmes një procedure transparente, kurse në aspektin substancial, që parashikimet ligjore të jenë objektive, të parashikueshme, të qëndrueshme dhe transparente, për të përjashtuar ndërhyrje arbitrare të pushtetit ligjvënës ose ekzekutiv gjatë zbatimit të tyre. Kjo nënkupton edhe që gjatë shqyrtimit dhe miratimit të propozimeve ligjore që prekin drejtpërdrejt garancitë kushtetuese të magjistratëve, ku përfshihen pagat e tyre, procesi ligjvënës duhet të përfshijë një analizë tërësore dhe të detajuar të qëllimit të synuar dhe pasojave të pritshme, sikundër duhet të sigurojë edhe pjesëmarrjen aktive të vet gjyqtarëve/magjistratëve ose grupimeve që i përfaqësojnë ata. Ky konsultim duhet të jetë, mbi të gjitha, edhe efektiv.” (shih vendimin Nr. 15/2026 të Gjykatës Kushtetuese, §76).
Duke qenë se projektligji “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 96/2016 “Për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar”, ka të bëjë pikërisht me garancitë kushtetuese të magjistratëve, ku përfshihen pagat e tyre, në zbatim të konkluzioneve dhe orientimeve të vendimit Nr. 15/2026 të Gjykatës Kushtetuese, Kuvendi i Shqipërisë, nëpërmjet komisioneve parlamentare, duhet të sigurojë edhe pjesëmarrjen aktive të vet gjyqtarëve/magjistratëve ose grupimeve që i përfaqësojnë atë, nëpërmjet një konsultimi efektiv.
Në këtë kuptim, Kuvendit të Shqipërisë i lind detyra që gjatë procesit legjislativ të organizojë seanca dëgjimore publike me organet e qeverisjes së sistemit të drejtësisë, përkatësisht Këshillin e Lartë Gjyqësor, Këshillin e Lartë të Prokurorëve, institucionet e drejtësisë, përkatësisht Drejtuesin e Prokurorisë së Posaçme, Prokurorin e Përgjithshëm, Kryetarin e Gjykatës së Lartë, dhe shoqatat e magjistratëve, përkatësisht Unioni i Gjyqtarëve të Shqipërisë, Shoqata Kombëtare e Gjyqtarëve të Shqipërisë dhe Shoqata e Prokurorëve të Republikës së Shqipërisë. Ky detyrim vlen për të gjitha organet e Kuvendit, përfshirë Komisionet për dhënie mendimi, pra edhe për Komisionin tonë.
Neni 36 i Rregullores së Kuvendit të Shqipërisë përcakton se: “1. Komisioni mund të organizojë seanca dëgjimore publike me anëtarë të Këshillit të Ministrave, përfaqësues të lartë të institucioneve shtetërore ose publike, ekspertë, përfaqësues të shoqërisë civile, përfaqësues të grupeve të interesit, si dhe grupime të tjera të interesuara. Komisioni është i detyruar të realizojë seancën dëgjimore, sipas përcaktimeve të bëra në këtë nen, në rast se një e treta e të gjithë anëtarëve të komisionit e kërkon atë në mënyrë të motivuar me shkrim. Kur seanca dëgjimore kërkohet nga 1/3 e anëtarëve të komisionit, Komisioni mblidhet brenda 2 ditëve kalendarike nga paraqitja e kërkesës. 1/1. Gjatë procesit legjislativ, komisioni mund të organizojë seanca dëgjimore publike sipas përcaktimeve të bëra në pikën 1 të këtij neni. Komisioni nuk mund të përgatisë raportin për seancë plenare pa u realizuar seanca dëgjimore. 2. Në përgatitjen e seancës dëgjimore publike, kryetari, në bashkëpunim me zëvëndëskryetarët dhe sekretarin e komisionit, u paraqet të ftuarve çështjet për të cilat kërkohet informacion.”.
Në këto kushte, ne, deputetët e Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, në cilësinë e anëtarëve të Komisionit për të Drejtat e Njeriut dhe Mjetet e Informimit Publike, në mbështetje të nenit 36, pikat 1 dhe 2, të Rregullores së Kuvendit të Shqipërisë, si dhe në përputhje me konkluzionet dhe orientimet e detyrueshme për zbatim të vendimit Nr. 15/2026 të Gjykatës Kushtetuese, në kuptim të nenit 132 të Kushtetutës,
KËRKOJMË:
1. Zhvillimin e një seance dëgjimore publike lidhur me projektligjin “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 96/2016 “Për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar”, me qëllim marrjen e mendimit të tyre për përmbajtjen e këtij projektligji, me institucionet dhe shoqatat që kanë interes në këtë çështje, si më poshtë:
(i) Këshillin e Lartë Gjyqësor,
(ii) Këshillin e Lartë të Prokurorisë,
(iii) Unionin e Gjyqtarëve të Shqipërisë,
(iv) Shoqatën Kombëtare të Gjyqtarëve të Shqipërisë,
(v) Shoqatën e Prokurorëve të Republikës së Shqipërisë,
(vi) Drejtuesin e Prokurorisë së Posaçme,
(vii) Prokurorin e Përgjithshëm,
(viii) Kryetarin e Gjykatës së Lartë.
2. Në mbështetje të nenit 32 të Rregullores së Kuvendit, thirrjen e mbledhjes së Komisionit, ditën e marte, datë 15 Shtator 2026, ora 14:00, me rend dite “Seancë dëgjimore publike me institucionet e drejtësisë dhe shoqatat e magjistratëve lidhur me projektligjin “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 96/2016 “Për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar”.
Duke ju falënderuar për bashkëpunimin,
