Asnjë qeveri në botë nuk është vërtet e përgatitur për ndryshimet që Inteligjenca Artificiale do të sjellë në shoqëri. Paralajmërimi vjen nga bashkëthemeluesi i Microsoft, Bill Gates, i cili në një intervistë për Reuters tha se qeveritë kanë mbetur shumë prapa përballë zhvillimit të shpejtë të kësaj teknologjie.
Gates, i cili deri vonë ishte ndër zërat më optimistë për potencialin e Inteligjencës Artificiale, tashmë shpreh shqetësime më të mëdha për ndikimin e saj në tregun e punës, rrezikun e sulmeve të mundshme dhe varësinë që mund të krijohet nga “shoqëruesit” dixhitalë të IA-së.
“Nuk mendoj se ndonjë qeveri po merret me këtë në masën që duhet të merret”, tha Gates, duke shtuar se qeveritë kanë mbetur shumë prapa në këtë çështje.
Megjithatë, ai theksoi se IA ka edhe një potencial të jashtëzakonshëm për të ndihmuar njerëzit më të varfër në botë, nëse përdoret në mënyrën e duhur dhe nëse sigurohet një akses sa më i barabartë.
Fondacioni Gates njoftoi të martën se planifikon të investojë të paktën 1 miliard dollarë gjatë dy viteve të ardhshme për të zgjeruar aksesin në Inteligjencën Artificiale.
Gates tha se shqetësimet e tij i ka diskutuar me liderë botërorë, përfshirë presidentin amerikan Donald Trump dhe ekipin e tij. Ai gjithashtu tha se po përpiqet të takohet me presidentin kinez Xi Jinping më vonë gjatë këtij viti.
Potenciali i IA-së në shëndetësi
Pavarësisht paralajmërimeve, Gates dhe fondacioni i tij besojnë se Inteligjenca Artificiale mund të ndihmojë në ngushtimin e hendekut mes vendeve të pasura dhe atyre të varfra, në vend që ta thellojë atë.
Programi prej 1 miliard dollarësh është pjesë e një plani më të gjerë të Fondacionit Gates, i cili ka njoftuar se do të shpenzojë rreth 9 miliardë dollarë në vit. Fondet e reja do të përdoren për të mbështetur partnerët që punojnë në fusha si arsimi, shëndetësia dhe bujqësia.
Një tjetër synim është krijimi i bazave të të dhënave të nevojshme për zhvillimin e IA-së, duke përfshirë mundësinë që modelet e mëdha gjuhësore të funksionojnë në të gjitha gjuhët që fliten në botë.
“Në sektorin e shëndetësisë, është e vështirë të mbivlerësohet madhësia e mundësive”, tha Gates, duke iu referuar përdorimit të IA-së për të mbështetur punonjësit e kujdesit shëndetësor, si dhe për zbulimin e barnave dhe vaksinave të reja.
Por ai paralajmëroi se qeveritë duhet të bashkëpunojnë për të shmangur probleme serioze, duke e krahasuar zhvillimin e IA-së me skenarët e filmave ku një kërcënim i jashtëzakonshëm i detyron vendet rivale të bashkohen.
“IA është në një farë mënyre si kjo inteligjencë aliene. Ata janë këtu dhe ne më mirë të bëjmë atë që i shohim të bëjnë në këto filma”, tha ai.
Çështja Epstein dhe ndikimi në reputacionin e Gates
Në qershor, Gates dëshmoi para Kongresit lidhur me marrëdhënien e tij me Jeffrey Epstein, i dënuar për krime seksuale dhe që tashmë ka vdekur.
Gates nuk është akuzuar për asnjë krim dhe ka thënë vazhdimisht se i vjen keq për marrëdhënien me Epstein. Sipas tij, ai kishte shpresuar se financuesi mund të siguronte donacione për kauza globale në fushën e shëndetësisë.
Gates ka deklaruar gjithashtu se Epstein u përpoq ta shantazhonte duke përdorur informacione lidhur me marrëdhëniet e tij jashtëmartesore.
Çështja e shtyu Fondacionin Gates të kërkonte një auditim të jashtëm. Sipas materialit, hetimi nuk gjeti pagesa për Epstein apo përfshirje në aktivitete kriminale.
Gates ka deklaruar se, pavarësisht zbulimeve, marrëdhënia me Epstein nuk i ka shkaktuar dëme të konsiderueshme as reputacionit të tij dhe as atij të fondacionit.
“Sa i përket aksesit tim tek udhëheqësit e qeverisë ose gatishmërisë së gazetarëve për të më intervistuar, nuk shoh ndonjë rënie”, tha ai, duke shtuar se interesi për ekspertizën e Fondacionit Gates në uljen e vdekjeve të fëmijëve dhe eliminimin e malaries nuk është zvogëluar “aspak”.
