Një valë kërcënimesh për vendosjen e bombave ka shkaktuar alarm në Itali këtë të enjte, më 12 nëntor, pasi mijëra shkolla në disa rajone të vendit kanë marrë email-e kërcënuese për praninë e lëndëve shpërthyese në ambientet e tyre. Sipas agjencisë italiane të lajmeve ANSA, kërcënimet kanë prekur institucione arsimore në disa zona, përfshirë provincat e Sondrios, Valtellinës, Valchiavennës dhe Palermos. Në disa raste, mesazhet kërcënuese u janë dërguar drejtpërdrejt drejtuesve të shkollave.
Pas marrjes së njoftimeve, autoritetet italiane kanë ndërmarrë kontrolle në institucionet e prekura. Karabinierët kanë mbërritur në terren dhe kanë verifikuar ambientet e shkollave, por nga hetimet paraprake rezultoi se bëhej fjalë për kërcënime të rreme dhe nuk u gjetën pajisje shpërthyese. Për rrjedhojë, në shumicën e shkollave mësimi vijoi normalisht, ndërsa nxënësit u rikthyen në klasa pas përfundimit të kontrolleve.
Ky është rasti i dytë brenda 48 orëve që shkollat italiane përballen me kërcënime të ngjashme. Edhe një ditë më parë, të mërkurën, mbi 300 institucione arsimore morën email-e paralajmëruese për vendosjen e bombave, duke shkaktuar evakuime dhe angazhim të forcave të sigurisë. Autoritetet po vijojnë hetimet për të identifikuar autorët e mesazheve kërcënuese dhe për të zbardhur origjinën e tyre.
