Elseid Hysaj është lojtari i vetëm i kuqezinjve që ende është në kërkim të gjetjes së një destinacioni për vijimin e karrierës. Pas mbylljes së aventurës me Lazion sezonin e shkuar, shkodrani është në pritje të vendosë se ku do të vijojë të luajë këtë sezon, ndërsa Italia shikohet prap si “toka e premtuar”.

Hysaj mund të vijojë karrierën në futbollin italian, me Ascolin që i është bashkuar garës për shërbimet e mbrojtësit shqiptar. Pas interesimit të Lecce-s, klubi i Serie B ka bërë një ofertë konkrete për 32-vjeçarin, por propozimi i parë është refuzuar nga Hysaj për arsye ekonomike.

Megjithatë, negociatat vijojnë dhe lojtari mbetet i hapur për një transferim. Ascoli e sheh Hysajn si një përforcim me rëndësi për krahun e djathtë të mbrojtjes, duke vlerësuar veçanërisht eksperiencën e tij. Shkodrani ka avantazhin se mund të luajë në të dy krahët e repartit defensiv.

Për Hysajn interesimi nuk mungon as nga jashtë Italisë, me disa klube, kryesisht nga Rusia, që po ndjekin situatën. Dakordësia mbi çështjen financiare mbetet pika kryesore e negociatave, ndërsa konkurrenca mund të ndikojë në zgjedhjen përfundimtare të mbrojtësit kuqezi.

Hysaj është ndër lojtarët më me përvojë të Kombëtares shqiptare, me 100 ndeshje dhe 2 gola me fanellën kuqezi.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb