Kryetari i Shoqatës së Gjyqtarëve dhe gjyqtar në Apelin e Gjykatës së Posaçme, Engert Pëllumbi, ka kundërshtuar projektligjin e propozuar nga Partia Socialiste për pagat e magjistratëve. Gjatë diskutimit në Komisionin e Ligjeve, Pëllumbi deklaroi se formula e propozuar nuk respekton vendimin e Gjykatës Kushtetuese dhe standardin që, sipas tij, tashmë është fituar nga magjistratët.
“Gjykata Kushtetuese, si kurrë më parë, ka folur qartë, prerë e saktë dhe nuk ka lënë vend për interpretim. Projekti konkret, jo vetëm që nuk e respekton vendimin 15/2026 të Gjykatës Kushtetuese, por do ta konsideroja si një tallje me këtë vendim dhe me të drejtën e magjistratëve për të marrë një pagë dinjitoze”, u shpreh Pëllumbi.
Sipas tij, Kushtetuta i njeh Kuvendit një hapësirë diskrecioni për të përcaktuar mënyrën e zbatimit të vendimit, por kjo hapësirë duhet të ushtrohet në përputhje me Kushtetutën dhe interpretimin e dhënë nga Gjykata Kushtetuese.
Pëllumbi iu referua edhe afatit të përcaktuar nga Gjykata Kushtetuese, duke argumentuar se, në kushtet kur Kuvendi nuk kishte vepruar deri më 31 korrik 2026, kishte hyrë në fuqi formula e përcaktuar në vendimin pararendës të Gjykatës.
Sipas tij, paga referuese që del nga kjo formulë është 236 425 lekë.
“Në datën 1 gusht, formula ka hyrë në fuqi. De jure ne e kemi sot një pagë referuese. Është kthyer edhe de facto, se ka marrë Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë, është ekzekutuar sigurimi i padisë. Është ekzekutuar edhe Gjykata e Durrësit. Pra, ne sot po flasim me një pagë referuese, reale, konkrete, e cila është 236 425 lekë”, tha ai.
Pëllumbi theksoi se ajo që mund të diskutohet me Kuvendin është mënyra se si do të arrihet te ky standard, por jo vetë standardi.
“Formula e sjellë në këtë projekt është shumë larg asaj formule që ka hyrë në fuqi. Ajo që na mbetet të diskutojmë është se si të shkojmë te kjo formulë. Nuk mund të diskutojmë standardin që tashmë ne e konsiderojmë se e kemi fituar”, deklaroi gjyqtari.
Ai foli edhe për diferencën në pagë mes gjyqtarëve të shkallëve të ndryshme, duke kundërshtuar argumentin se Gjykata e Lartë duhet të ketë një shtesë të veçantë vetëm për shkak të natyrës së punës.
Sipas Pëllumbit, gjyqtarët e Gjykatës së Posaçme përballen me kufizime të veçanta në jetën private, përfshirë monitorimin e telefonit, email-eve dhe llogarive bankare, si dhe gjykojnë çështje që lidhen me korrupsionin në nivele të larta dhe krimin e organizuar.
Për diferencën mes shkallëve të gjyqësorit, ai tha se 8 për qind mund të rishikohet, duke theksuar se Kuvendi mund ta ndryshojë këtë përqindje, por sipas tij, nuk duhet të ulet nën standardin ekzistues.
Pëllumbi u ndal edhe te argumenti i barrës fiskale që lidhet me zbatimin e vendimit. Ai tha se mënyra e shpërndarjes së kësaj barre në buxhet mund të negociohet dhe se afati i pagesave mund të shtrihet në disa vite, por jo vetë detyrimi për të respektuar Kushtetutën dhe vendimin e Gjykatës Kushtetuese.
“Për të lehtësuar barrën fiskale mundet të ndahen funksionarët që referencën e kanë te paga e gjyqtarëve dhe prokurorëve. Nuk janë pak. Kjo do të ulte barrën fiskale. Nuk flitet për barrë fiskale kur flasim për standarde. Kjo është gjë që nuk e kemi pushtetin ta negociojmë. Nuk negociohet me Kushtetutën, nenit 138, 132 dhe vendimet e GJK”, tha ai.
Kryetari i Shoqatës së Gjyqtarëve paralajmëroi gjithashtu se miratimi i një ligji që do të respektonte standardin e vendosur nga Gjykata Kushtetuese do të mund të çonte në tërheqjen e padive të ngritura nga magjistratët.
Ai theksoi se këto procese kanë kosto shtesë për buxhetin e shtetit, duke përfshirë shpenzimet për avokatë, përmbarues dhe ekspertë.
Ndërkohë, Pëllumbi vlerësoi si të drejtë pjesën e projektligjit që lidhet me barazinë e pagave në Gjykatën e Lartë, veçanërisht njohjen e vjetërsisë profesionale jashtë sistemit gjyqësor për efekt të llogaritjes së pagës.
