Gazetari Basir Çollaku, i ftuar në studion e News24, ka komentuar vendimin e Gjykatës Speciale të Hagës ndaj ish-drejtuesve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, duke e cilësuar atë si një vendimmarrje me peshë të madhe gjeopolitike dhe me pasoja për rajonin.
Gjatë analizës së tij, Çollaku u shpreh: “Është një vendim jo dashamirës për shqiptarët. Janë vendime të rënda dhe të ndërlikuara sepse janë kompromentuese për shumë zhvillime e ngjarje, për gjeografi e gjeopolitikë që kanë brenda. Është një thelë i hollë mes asaj individuales dhe asaj që përfaqëson UÇK, ndërkohë që është provuar se janë serbët ata që kanë bërë gjenocid në Kosovë.”
I pyetur mbi qëndrimin e politikës në Shqipëri dhe Kosovë, ai vuri në dukje mungesën e koordinimit ndërmjet dy vendeve dhe reagimin e Kuvendit të Shqipërisë: “Ky parlament që loton sot në Shqipëri ndaj këtij vendimi është ai që nuk ka miratuar rezolutën për gjenocidin serb ndaj Kosovës. Ky kryeministër ka lobuar edhe për krijimin e kësaj gjykate speciale. Prishtina dhe Tirana duhet të ishin më të bashkuara kundër këtij vendimi që edhe pritej, ndoshta edhe për lobim në Uashington. Tirana dhe Prishtina prej vitesh kanë qenë me kurriz ndaj njëri-tjetrit dhe ka pasur stinë të parehatshme në marrëdhëniet me njëri-tjetrin.”
Lidhur me përfshirjen e faktorit ndërkombëtar dhe formulimin e trupit gjykues, gazetari deklaroi: “Ka palë edhe amerikane që kanë qenë në historinë e luftës se Kosovës që e shohin me shumë dyshim edhe këtë gjykatë dhe këtë proces. Jo vetëm avokatët e krerëve të UÇK, por duhet një vendimmarrje edhe gjeopolitike. Është një proces sa juridik edhe politik e gjeopolitik. Trupi gjykues është përpjekur të trajtojë 4 drejtuesit si individë dhe jo si trajtim i UÇK. Ajo fjalia ‘në emër të Kosovës dënoheni’ nuk tingëllon mirë për asnjë shqipfolës. Kemi parë protestat e shqiptarëve të Kosovës dhe një zemërim i tillë besoj kap gjithë popullsinë shqiptare.”
Së fundmi, Çollaku nënvizoi se çështja do të vazhdojë në shkallët e tjera të gjyqësorit: “Ky aktgjykim nuk është final sepse janë edhe shkallët e tjera të drejtësisë. Besoj mund të gjenden prova apo zhvillime të reja që të sjellin një realitet ndryshe të procesit. Procesi i apelimit mund të zgjasë me vite dhe është problem, sepse edhe sot kanë kaluar 6 vite nga ndalimi i tyre. Por për sa kohë ato që janë ngritur janë aty, ndoshta mbrojtja do të ketë më tepër punë për të sjellë më shumë argumente apo mbrojtje për të bindur Apelin që nuk jemi në këtë realitet të vendimmarrjes.”
