Aktivisti Asim Prengzaj në një intervistë në News24, ka folur për zhvillimet që nga nisja e protestave, duke deklaruar se 11 persona vijojnë të mbahen në paraburgim, mes tyre edhe tre pjesëtarë të diasporës.
Sipas tij, në burgun 302 ndodhen ende të arrestuar aktivistët Artan Daçi, Doriani dhe Bekim Meraj, ndërsa pjesa tjetër e të arrestuarve janë persona të tjerë të përfshirë në protestë.
Aktivisti ka rrëfyer gjithashtu lëvizjen e grupit të diasporës drejt Shqipërisë. Ai tha se diaspora ishte nisur më 12, ndërsa pas qëndrimit në Pejë, grupi u nis në mëngjes si autokolonë në drejtim të Tiranës.
Gjatë kalimit në kufirin e Morinës, sipas tij, grupi është përballur me kontrolle dhe më vonë ka rezultuar se automjetet kishin marrë gjoba.
“Diaspora erdhi më datën 12. Sigurisht që pati ato incidentet në kufirin mes Bosnjës dhe Malit të Zi, por këtë e kemi transmetuar. Ne, për mbështetje, u nisëm dhe një grup bashkë me një grup profesorësh u dolën përpara në Kosovë. Ne u nisëm për në Mal të Zi, por duke qenë se ata avancuan pak më shpejt, të shoqëruar nga policia malazeze, i pritëm në Kosovë dhe qëndruam në Pejë atë natë. Në mëngjes u nisëm si autokolonë në drejtim të Tiranës. Patëm disa probleme në kufirin tonë të Morinës. Na morën në pyetje se çfarë ishim, me targa shqiptare. Një ditë më mbrapa na rezultoi që kishim marrë edhe gjoba të gjithë. Arsyeja është sigurisht që ishim në protestë, sepse gjoba ka një arsyetim. Te makinat që kisha unë ishte një gjobë te “Gjashtë Katështi”. “Gjashtë Katështi” na rezultoi që qenka në Kukës. Ne thjesht kemi kaluar aty. Nuk është se kemi bërë ndonjë gjë. Ishim duke lëvizur, por ka qenë një interpretim i gabuar. Ndërkohë, një makinë tjetër e diasporës është marrë me karrotrec dhe akoma nuk ka dalë. Është në pikë bllokimi, sepse nuk kishte regjistruar në doganë që ka kaluar. Tani çunat janë detyruar që të shkojnë në doganë, të marrin pamjet filmike, t’ia dërgojnë komisariatit e kështu me radhë, siç ka ndodhur edhe herët e tjera, që u mbushën me gjoba”, ka thënë ai.
