Protesta e banorëve të Divjakës ka vijuar për të 48-ën ditë radhazi, me qytetarët që kundërshtojnë projektin e ri të ndarjes administrative dhe kërkojnë ruajtjen e statusit të Divjakës si bashki.
Gjatë protestës, folësit kanë kritikuar mungesën e mbështetjes nga administrata, fermerët dhe bizneset lokale, ndërsa kanë deklaruar se një pjesë e tyre nuk marrin pjesë nga frika e pasojave apo hakmarrjes.
Protestuesit kanë kritikuar gjithashtu qëndrimin e të zgjedhurve vendorë dhe përfaqësuesve politikë të zonës, duke kundërshtuar projektin që, sipas tyre, parashikon një riorganizim në 46 bashki dhe rrezikon ekzistencën e Divjakës si njësi më vete.
Ata i kanë kërkuar kryeministrit dhe përfaqësuesve të tjerë të heqin dorë nga ajo që e kanë cilësuar “projekti Mazniku”, ndërsa kanë kundërshtuar edhe dëgjesat publike, të cilat sipas tyre zhvillohen pa praninë e përfaqësuesve të komisionit dhe deputetëve të zonës.
Në përfundim të protestës, banorët kanë marshuar në rrugët e qytetit me sloganet “Divjaka bashki” dhe “Divjaka e qytetarëve, jo e tradhtarëve”.
Marshimi shënoi mbylljen e natës së 48-të të protestës qytetare në Divjakë, ndërsa banorët kanë deklaruar se do të vijojnë qëndrimin e tyre në shesh.
