Në një panel të Forumit Euronews në Dubai, këshilltari i Presidentit të Azerbajxhanit, Hikmet Hajiyev, tha se paqja me Armeninë është “një përpjekje e vështirë”, por Azerbajxhani është i angazhuar për ruajtjen e trashëgimisë së krishterë në territorin e tij, pasi ajo është pjesë e historisë së vendit.
Azerbajxhani ka paralajmëruar se “forcat revanshiste” në Armeni dhe diaspora armene “janë ende të fuqishme” dhe po përpiqen të minojnë procesin historik të paqes ndërmjet dy ish-rivalëve.
Në një panel të gjerë, të zhvilluar të mërkurën në Samitin Arab të Medias në Dubai, Ndihmësi i Presidentit të Azerbajxhanit, Hikmet Hajiyev, i tha Euronews se “ndoshta qeveria armene dhe udhëheqja armene duhet të punojnë gjithashtu për ta përgatitur popullin e tyre për paqen”.
“Tani ne e fituam luftën, por po fitojmë edhe në paqe, gjë që është një përpjekje e vështirë”, tha Hajiyev, i cili është gjithashtu Shef i Departamentit për Çështjet e Politikës së Jashtme të Administratës Presidenciale.
“Gjatë gjithë viteve të pushtimit në Karabakh dhe Zangezurin Lindor, xhamitë tona dhe trashëgimia jonë kulturore islame iu nënshtruan shkatërrimit të plotë nga Armenia – madje në xhami futeshin edhe derra.”
“Ne nuk po e marrim këtë si një shenjë hakmarrjeje, por kjo është historia dhe trashëgimia jonë dhe ne nuk mund ta harrojmë atë”, shtoi ai.
Këshilltari presidencial theksoi se, ndonëse vendi i tij është pjesë e qytetërimit më të gjerë islam, “aktualisht, tri fe – Islami, Krishterimi dhe Judaizmi, me xhamitë, kishat dhe sinagogat e tyre – bashkëjetojnë krah për krah” në Azerbajxhan.
Hajiyev tha më tej se Azerbajxhani është i përkushtuar ndaj «ruajtjes së trashëgimisë së krishterë në territorin sovran të Azerbajxhanit, pavarësisht përkatësisë së saj, dhe kjo është e padiskutueshme, sepse ajo është trashëgimia jonë kulturore”.
Duke folur për historinë e bashkëjetesës kulturore dhe fetare në Azerbajxhan, Hajiyev shpjegoi se ishte “më se krenar që vendi im është një nga vendet e para të Zoroastrizmit”.
“Është gjithashtu një nga vendet e para të Krishterimit që prej shekullit të katërt: Krishterimi u adoptua si fe zyrtare nga Mbretëria e Albanisë së Kaukazit”, ndërsa Azerbajxhani ishte “gjithashtu një nga vendet e para që përqafoi Islamin”.
Albania e Kaukazit ishte një mbretëri e lashtë në territorin e Azerbajxhanit të sotëm dhe në pjesë të Dagestanit jugor, e cila nuk ka lidhje me shtetin e Albanisë (Shqipërisë) në Ballkanin Perëndimor -dikur gjithashtu mbretëri – me të cilin ndan vetëm emrin.
Autoritetet e Kishës Armene kanë kundërshtuar qëndrimin e Azerbajxhanit lidhur me objektet fetare, duke akuzuar Bakun për shembjen e kishave në Karabakh, pretendime të cilat Azerbajxhani i hedh poshtë.
“BE-ja duhet të përfshijë të gjithë rajonin”
Në panelin e Forumit Euronews në Samitin Arab të Medias, zyrtari i lartë azerbajxhanas përsëriti qëndrimin e prerë të Bakut se, edhe pas arritjes së paqes, vendi i Kaukazit të Jugut vazhdon të jetë objekt i “dezinformimit”.
“Një institucion i tillë është Parlamenti Evropian, i cili nuk është pjesë e zgjidhjes, por pjesë e problemit”, tha Hajiyev, duke përmendur gjithashtu disa media perëndimore.
“Parlamenti Evropian po miraton rezoluta dhe vendime që poshtërojnë dhe, njëkohësisht, minojnë agjendën e paqes në rajonin tone”, shtoi ai.
“Ne jemi në procesin e ndërtimit të paqes rajonale, por Parlamenti Evropian po ndjek një agjendë krejtësisht tjetër.”
Hajiyev theksoi se politika e BE-së ndaj Kaukazit të Jugut “nuk duhet të jetë një qasje e përqendruar vetëm te një palë; ajo duhet të përfshijë të gjithë rajonin, me një bashkëpunim të ekuilibruar me vendet e rajonit”.
Për më tepër, politika e BE-së duhet të synojë gjithashtu “ndërtimin e konceptit të një partneriteti të ri … dhe jo krijimin e linjave ndarëse”.
Hajiyev përsëriti se Azerbajxhani kontribuon në sigurinë energjetike të BE-së duke furnizuar me gaz 16 shtete anëtare të BE-së, si dhe vende të tjera evropiane dhe se, në këtë kuadër, projekti i ndërlidhjes së Korridorit të Mesëm mund t’i afrojë edhe më shumë Azerbajxhanin dhe BE-në.
Euronews
