Aktori dhe komediani britanik Russell Brand është shpallur fajtor për një akuzë përdhunimi dhe tri akuza për sulm seksual, pas përfundimit të gjyqit në Gjykatën e Southuark në Londër. Ai përballej me gjithsej shtatë akuza, tre për përdhunim, tre për sulm seksual dhe një për tentativë sulmi të pahijshëm.
Juria e shpalli fajtor për katër prej tyre, ndërsa për tri akuzat e tjera Brand u shpall i pafajshëm. Vendimi për fajësinë vjen pas një procesi gjyqësor ku u shqyrtuan pretendimet e disa grave për abuzime seksuale të ndodhura në periudha të ndryshme.
Sipas vendimit, Brand u shpall i pafajshëm për përdhunimin e një gruaje në një hotel në Bournemouth në vitin 1999, ku ai ndodhej për të marrë pjesë në konferencën e Partisë Laburiste. Ai u lirua gjithashtu nga akuza për tentativë sulmi të pahijshëm ndaj një gruaje në vitin 2001, pasi dyshohej se e kishte kapur nga krahu dhe e kishte tërhequr drejt tualetit.
Po ashtu, aktori u shpall i pafajshëm për akuzën e përdhunimit oral të një gruaje në tualetin e një bari në Londër, pas një feste ditëlindjeje, ku të dy kishin qenë të pranishëm.
Pas shpalljes së vendimit, vëmendja u përqendrua jashtë Gjykatës së Southuark, ku dhjetëra fotografë dhe gazetarë prisnin largimin e Brandit me automjetin e burgut. Ndryshe nga ditët e tjera të procesit, kur ai mbërrinte në gjykatë dhe largohej në shoqërinë e njerëzve të afërt, përfshirë bashkëshorten Laura, këtë herë u largua pa ta.
Ai pritet të kalojë natën në burg, ndërsa të hënën do të dalë sërish para gjykatës për t’u njohur me masën e sigurisë.
Pas vendimit, Prokuroria e Kurorës në Britani (CPS) reagoi përmes prokurorit të lartë David Roberts, nga njësia për përdhunimet dhe sulmet e rënda seksuale në Londër.
“Russell Brand ishte grabitqar dhe përdori statusin e tij si personazh i famshëm për të kryer krime seksuale”, deklaroi Roberts.
Ai e cilësoi Brandin si një person manipulues, i cili kërkonte të merrte atë që dëshironte, pavarësisht nëse kishte apo jo pëlqimin e grave.
“Teksa karriera e tij po merrte hov, ai shfrytëzoi mundësitë për të sulmuar seksualisht gratë që kishte përreth. Megjithëse taktikat e tij ndryshonin, në qendër të çdo sulmi ishte abuzimi me pushtetin dhe lakmia seksuale, me shpërfillje të plotë për pasojat e veprimeve të tij”, u shpreh prokurori.
Ai falënderoi gratë që denoncuan rastet dhe patën guximin të dëshmonin gjatë procesit gjyqësor, duke bërë të mundur që autori të vihej përpara drejtësisë.
