Kryeministri Edi Rama ka zhvilluar një takim me përfaqësues të supermarketeve dhe furnitorëve kryesorë në vend, ku ka diskutuar për çmimet e produkteve dhe transparencën ndaj konsumatorëve.

Gjatë takimit, Rama u kërkoi bizneseve të ruajnë konkurrencën dhe të reflektojnë në çmime faktorët që kanë ndikuar në uljen e kostove. Ai iu referua të dhënave të Bankës së Shqipërisë për zhvlerësimin e euros dhe rënien e inflacionit të importuar.

Sipas Ramës, këto zhvillime duhet të reflektohen edhe në çmimet e produkteve që tregtohen në vend. Kryeministri theksoi se bizneset kanë të drejtë të realizojnë fitime, por paralajmëroi se nuk do të tolerohet ngarkimi i pajustifikuar i kostove te konsumatorët. “Askush nuk ju kërkon që të ndaloni së fituari, se për këtë punë keni dalë në treg, që të punoni dhe fitoni. Por që të ngarkoni njerëzit, këtë nuk do t’jua lejojmë”, deklaroi Rama.

Ai kërkoi gjithashtu që konsumatorët të kenë më shumë transparencë dhe mundësi për të krahasuar çmimet, në mënyrë që konkurrenca të ndikojë në treg. “Fitoni, por lini të tjerët të marrin frymë”, u shpreh Rama, duke e mbyllur paralajmërimin ndaj përfaqësuesve të biznesit.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: