Një 39-vjeçare Kumrie Zika është arrestuar në Tiranë, pasi dyshohet se punësohej përkohësisht në biznese të ndryshme me qëllim vjedhjen e xhirove ditore.
Policia bën me dije se në kuadër të operacionit të koduar “Skema” janë dokumentuar 5 raste vjedhjesh në subjekte të ndryshme. Sipas hetimeve, 39-vjeçarja punësohej në biznese të ndryshme dhe, pasi siguronte akses në ambientet e tyre, dyshohet se vidhte xhiron ditore përpara se të largohej.
Ajo u kap në ambientet e një lokali në Tiranë nga efektivët e Forcës së Posaçme “Shqiponja”. Operacioni u zhvillua nga Komisariati i Policisë Nr. 1 dhe Nr. 2, në bashkëpunim me Forcën e Posaçme “Shqiponja”.
Ndërkohë, policia vijon hetimet për zbardhjen e rasteve të tjera të mundshme të vjedhjeve që mund të jenë kryer nga 39-vjeçarja.
Njoftimi i policisë
Tiranë/Finalizohet operacioni policor i koduar “Skema”, i zhvilluar nga Komisariati i Policisë Nr. 1 dhe Komisariati i Policisë Nr. 2, në bashkëpunim me Forcën e Posaçme “Shqiponja”.
Punësohej në subjekte të ndryshme me qëllim që të vidhte xhirot ditore, vihet në pranga 39-vjeçarja.
Dokumentohen 5 raste vjedhjesh në subjekte të ndryshme.
39-vjeçarja u kap në ambientet e një lokali në Tiranë, nga Forca e Posaçme “Shqiponja”.
Në vijim të punës hetimore për parandalimin dhe goditjen e krimeve kundër pasurisë, si dhe për zbardhjen e ngjarjeve të ndodhura më parë, strukturat e Komisariatit të Policisë Nr. 1 dhe Komisariatit të Policisë Nr. 2, në bashkëpunim të ngushtë me Forcën e Posaçme “Shqiponja”, finalizuan me sukses operacionin policor të koduar “Skema”.
Si rezultat i operacionit u bë kapja dhe ndalimi i shtetases të shpallur në kërkim K. Z., 39 vjeçe, banuese në Tiranë.
Nga hetimet e kryera, dyshohet se kjo shtetase punësohej përkohësisht në subjekte të ndryshme në Tiranë me qëllim për të vjedhur xhirot ditore, përpara se të largohej.
Në kuadër të këtij operacioni u dokumentuan 5 raste vjedhjesh të ndodhura në territoret e Komisariateve Nr. 1 dhe 2.
Punohet për zbardhjen e vjedhjeve të tjera që mund të ketë kryer kjo shtetase.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të metejshme.
