Një aksident i rëndë rrugor në Hull të Britanisë së Madhe është regjistruar nga kamerat e sigurisë, ku një shofer përplasi një çikliste që po lëvizte në korsinë e biçikletave. 48-vjeçari Uchenna Agunenye humbi kontrollin e automjetit dhe u përplas me gruan, e cila nga goditja u hodh nga biçikleta dhe përfundoi mbi kangjellat metalike në anë të rrugës. Pamjet tregojnë makinën që lëviz përgjatë rrugës dhe më pas del nga korsia, duke goditur çiklisten. Pavarësisht përplasjes së fortë, automjeti vijoi lëvizjen pas goditjes.

Policët që patrullonin në zonën e Holderness Road, së bashku me kalimtarë të rastësishëm, shkuan menjëherë në vendngjarje për t’i dhënë ndihmën e parë të plagosurës. Çiklistja u transportua në spital, ku u konstatua se kishte pësuar fraktura në këmbë, thembër dhe disa gishta të këmbës, si dhe dëmtime dhe frakturë në bërryl. Për shkak të plagëve, ajo iu nënshtrua edhe një ndërhyrjeje kirurgjikale. Pas aksidentit, Agunenye iu nënshtrua testit të alkoolit dhe drogës, të cilat rezultuan negative. Megjithatë, gjatë kontrolleve në vendngjarje, policia kreu edhe një test shikimi, të cilin 48-vjeçari nuk e kaloi.

Hetimet zbuluan se në patentën e tij kishte një kusht që e detyronte të mbante syze gjatë drejtimit të automjetit. Gjatë marrjes në pyetje, Agunenye pranoi se kishte harruar të vendoste syzet para se të drejtonte makinën.

Dënim me kusht
48-vjeçari, me banim në Jalland Street në Hull, u paraqit para Gjykatës së Kurorës në Hull, ku u shpall fajtor për shkaktimin e lëndimeve të rënda përmes drejtimit të rrezikshëm të automjetit. Gjykata e dënoi me 14 muaj burgim të pezulluar, ndaj ai nuk do të vuajë dënimin pas hekurave. Atij iu ndalua gjithashtu drejtimi i automjetit për dy vjet dhe, pas kësaj periudhe, do të duhet të kalojë një provim të zgjeruar për të rifituar patentën.

Agunenye u urdhërua gjithashtu të kryejë 180 orë shërbim në komunitet dhe t’i paguajë çiklistes 187 paund kompensim. Oficeri Matt Tuton, nga njësia e trafikut, e cilësoi drejtimin e tij si të pamatur dhe të rrezikshëm, duke theksuar rëndësinë e plagëve të marra nga çiklistja. “Çiklistja është me fat që është gjallë, por ndikimi fizik dhe psikologjik i kësaj përplasjeje do të vazhdojë ta ndikojë atë për pjesën tjetër të jetës së saj”, deklaroi ai. Oficeri u bëri thirrje drejtuesve të automjeteve që të kontrollojnë rregullisht shikimin dhe të sigurohen se plotësojnë të gjitha kushtet për të drejtuar në mënyrë të sigurt.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: