Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, ka reaguar pas raportimeve për masën e sigurisë ndaj drejtueses së SHISH, Vlora Hyseni, dhe kontrollet në banesën e ish-drejtorit të Policisë së Shtetit, Ilir Proda, në kuadër të hetimeve për Ergys Agasin dhe dosjen AKSHI.

Në një postim në rrjetet sociale, Tabaku e cilëson këtë zhvillim si dëshmi të kalbëzimit të shtetit nga brenda dhe kërkon që Presidenti i Republikës të thërrasë menjëherë Këshillin e Sigurisë Kombëtare.

Deputetja thekson se këto raportime vijnë vetëm një ditë pas asaj që ajo e quan “spektakli propagandistik” i ministrit të Brendshëm. Sipas saj, dyshimet që prekin drejtuesit e institucioneve të sigurisë kërkojnë përgjigje të menjëhershme mbi funksionimin e shtetit dhe mbrojtjen e informacionit shtetëror.

Tabaku ia ngarkon përgjegjësinë politike kryeministrit Edi Rama, duke argumentuar se ai ka zgjedhur dhe promovuar drejtuesit e këtyre institucioneve. “Bie fasada. Del sistemi”, shkruhet në imazhin që shoqëron reagimin e saj.

Sipas deputetes demokrate, çdo zhvillim i ri zbulon më tej lidhjet mes pushtetit, korrupsionit dhe interesave kriminale. Ajo kërkon që drejtësia të vijojë punën pa pengesa dhe pa mbrojtje politike për personat nën hetim.

Në përfundim, Tabaku bën thirrje për largimin e qeverisë, duke e konsideruar ndryshimin politik të domosdoshëm për shkëputjen nga një sistem që, sipas saj, varfëron shqiptarët dhe pasuron një pakicë të lidhur me pushtetin.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb