Deputeti i PD-së, Luçiano Boçi, ka reaguar për sulmin e ish-drejtueses së SHISH, Vlora Hyseni, ndaj gazetares së News24, Klodiana Lala, duke e cilësuar situatën si një presion ndaj medias dhe një përpjekje për t’i mbyllur gojën gazetares.

I ftuar në emisionin “Minuta e Parë” në News24 me Ola Brukon, Boçi tha se deklaratat e Hysenit synojnë të spostojnë vëmendjen nga çështja që ai e konsideron si një skandal të rëndë, duke ngritur shqetësimin edhe për sigurinë kombëtare. Sipas tij, sulmet ndaj gazetares vijnë në një moment kur ndaj ish-drejtueses së SHISH rëndojnë akuza dhe hetime të rënda.

Boçi e lidhi situatën edhe me sigurinë kombëtare, duke argumentuar se zhvillimet e fundit kanë ngritur pikëpyetje të forta mbi mënyrën se si funksionojnë institucionet e sigurisë dhe marrëdhënien e tyre me median.

“Ky është një presion ndaj medias, një reagim toksik. Që vijnë nga shërbime që kanë pushtetin e tyre dhe pretendojnë se posedojnë informacion. Nuk po them se presioni është bërë mbi bazën e një informacioni të vërtetuar, pasi e ka shpikur zonja, për të vazhduar presionin që gazetarja të përpiqet të tërheqë denoncimet e saj. Klodiana ka qenë aktive dhe ka zbuluar çështje në tërësinë e saj të plotë. Kjo ka ngjallur reagimin toksik të drejtoreshës së arrestuar të SHISH. Gazetarët ulen me deputetë, politikanë, me njerëz të inkriminuar, apo aktivitete të padeklaruara. Jo të akuzosh gazetaren, por të ndjekësh këto hapa. Zonja s’i ka ndjekur këto hapa. Bëhet fjalë për një sekret, si e nxjerr në TV?! Ajo nxirrte sekrete, i ndante me Agasin. Ajo e ka marrë atë mbështetje nga kryeministri. Ajo ka pasur qëllim që të shmangë vëmendjen nga akuzat e saj dhe të sulmojë mediat. Në ato prononcimet e shumta janë hedhur insinuata që media të caktuara paguhen nga agjentura të huaja, që të tërheqin vëmendjen nga skandali. Ky është kryelajm, është kryeskandal, pasi është situatë e paimagjinueshme. Ka rënë siguria kombëtare, perdja e fundit e sigurisë së një shteti.”, tha Boçi.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: