Dy rezervistë të ushtrisë izraelite janë vrarë të enjten në Rripin verior të Gazës, pasi një dron i vogël që ata po kontrollonin dhe që mbante eksplozivë u rrëzua për një arsye ende të panjohur dhe shpërtheu pak më vonë. Ushtria izraelite (IDF) bëri të ditur se viktimat janë rreshteri rezervist Nadav Kali, 24 vjeç, nga Har Haluch, dhe rreshteri rezervist Ofek Moalem, 23 vjeç, nga Jerusalemi. Të dy shërbenin në Batalionin 7007 të Brigadës së Jerusalemit. Sipas hetimit paraprak të IDF-së, dy ushtarët po operonin dronë të tipit FPV, të njohur në ushtrinë izraelite si “Atalef”, nga një post ushtarak brenda zonës tampon të sigurisë në veri të Gazës.
Një prej dronëve kishte përfunduar me sukses misionin e tij të parë. Më pas, gjatë përgatitjes për një mision të dytë, një tjetër dron u rrëzua në territorin e postës ushtarake për shkaqe që ende nuk janë përcaktuar.Sipas gjetjeve fillestare, dy rezervistët shkuan në vendngjarje disa minuta më vonë për të kontrolluar dronin e dëmtuar. Gjatë inspektimit, pajisja shpërtheu, duke i plagosur rëndë të dy ushtarët.
Ata u transportuan me urgjencë në spitalin Barzilai në Ashkelon, ku u konfirmua vdekja e tyre. IDF ka nisur një hetim për të përcaktuar shkaqet e rrëzimit të dronit dhe shpërthimit. Deri në përfundimin e hetimeve, ushtria izraelite ka pezulluar përkohësisht përdorimin e dronëve të vegjël që mund të mbajnë eksplozivë, përfshirë dronët vetëvrasës dhe ata që përdoren për hedhjen e eksplozivëve mbi objektiva.
