Babë e bir janë shpallur në kërkim nga Policia e Lezhës, pasi dyshohet se plagosën me armë zjarri një 31-vjeçar pas një konflikti për motive të dobëta në fshatin Manati.

Në kërkim janë shpallur Bebi (Gjergj) Voci 47 vjeç, dhe djali i tij Ariseldo Voci, 23 vjeç, banues në fshatin Tresh, Lezhë.

Ngjarja ndodhi mesditën e djeshme, rreth orës 13:10. Sipas hetimeve, gjatë një konflikti me 31-vjeçarin D. P., banues në Lezhë, dy të dyshuarit kanë qëlluar me armë zjarri në drejtim të tij.

Si pasojë e të shtënave, 31-vjeçari mbeti i plagosur dhe u transportua në spital, ku po merr trajtim mjekësor. Sipas Policisë, ai ndodhet jashtë rrezikut për jetën.

Në vijim të hetimeve, shërbimet e Policisë kanë gjetur dhe sekuestruar një automjet tip “BMW”, i cili dyshohet se është përdorur nga babë e bir për t’u larguar nga vendi i ngjarjes.

Policia vijon punën për kapjen e dy personave të shpallur në kërkim dhe dokumentimin e plotë të rrethanave të plagosjes.

Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë për veprime të mëtejshme.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb