Një burrë dhe një grua kanë humbur jetën si pasojë e një zjarri të fuqishëm që përfshiu një pallat trekatësh mbrëmjen e kaluar në lagjen San Vito të Luccës, në Itali. Nga flakët mbetën të plagosur edhe 13 persona, ndërsa një foshnjë e porsalindur u shpëtua nga zjarrfikësit gjatë operacionit të evakuimit.

Ngjarja ndodhi në një ndërtesë në Via Bertini, në kryqëzimin me Via Corsica, ku zjarri dyshohet se ka nisur në katin përdhes të një prej apartamenteve. Dy viktimat jetonin së bashku në apartamentin ku shpërtheu zjarri. Gruaja u gjet e pajetë në dhomën e ndenjes, ndërsa trupi i burrit u gjet në dhomën e gjumit. Sipas vlerësimeve të para, burri dyshohet se ka humbur jetën nga thithja e tymit dhe gazrave të shkaktuar nga djegia. Familjet që jetonin në katet e sipërme u detyruan të largoheshin nga apartamentet dhe u ngjitën në tarraca, ku pritën mbërritjen e ekipeve të shpëtimit. Pas shuarjes së flakëve, zjarrfikësit gjetën dy trupat brenda apartamentit.

Mes të plagosurve, një grua ndodhet në gjendje të rëndë dhe është transportuar në Qendrën e Djegieve në Pisa, për shkak të plagëve të rënda. Nëntë persona të tjerë u dërguan në spitalet e Luccës, Versilias dhe Pisës, ndërsa tre të plagosur të tjerë morën trajtim në struktura spitalore. Policia e Shtetit dhe zjarrfikësit ndodhen në vendngjarje për të zbardhur shkaqet e zjarrit. Sipas gjetjeve të para, zjarri mund të ketë nisur aksidentalisht, por hetimet janë ende në fazat fillestare.

Ndërtesa është shpallur e pabanueshme, ndërsa Bashkia e Luccës ka nisur procedurat për sigurimin e strehimit të përkohshëm për banorët e evakuuar. Hetimet vijojnë për të përcaktuar me saktësi se si nisi zjarri dhe rrethanat që çuan në vdekjen e dy personave.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: