Protesta kundër qeverisë vijon prej 118 ditësh, ndërsa një prej protestuesve ka bërë thirrje për vijimin e tubimeve dhe ka kërkuar nga efektivët e Policisë së Shtetit që të mos zbatojnë urdhra që, sipas tij, mund të çojnë në përplasje me qytetarët.
Protestuesi tha se qytetarët duhet të tregohen të kujdesshëm dhe të mos bien pre e provokimeve, duke pretenduar se kryeministri Edi Rama kërkon përshkallëzim të situatës.
“Të rinjtë në protestë, kemi 118 ditë, ky ende nuk do të dëgjojë. Do të na provokojë, ai do gjak e luftë, do të na e lërë fajin ne. Duhet të jemi shumë të kujdesshëm”, u shpreh ai.
Më tej, protestuesi akuzoi qeverinë se ka përfshirë persona me precedentë kriminalë në radhët e policisë, pretendim të cilin e shoqëroi me kritika ndaj mënyrës së menaxhimit të protestave.
“Rama e ka mbushur policinë me banda dhe të inkriminuar, sot përballemi me ata”, deklaroi ai.
Sipas tij, një pjesë e qytetarëve kanë frikë të marrin pjesë në protesta për shkak të përballjes me policinë.
“Tani edhe qytetarët kanë frikë, sepse ata të dhunojnë e të marrin zvarrë”, tha protestuesi.
Ai iu drejtua gjithashtu efektivëve të policisë me thirrjen që të mos zbatojnë urdhrat, nëse, sipas tij, ato bien ndesh me interesin e qytetarëve.
“Thirrje policisë: Hidhni kapelet dhe mos zbatoni urdhrat, nëse jeni shqiptarë”, u shpreh protestuesi.
Në fund, ai deklaroi se protestat do të vijojnë pavarësisht kushteve atmosferike dhe se do të ndalen vetëm me largimin e kryeministrit Edi Rama.
“Do të protestojmë në shi dhe breshër deri në largimin e kësaj mbeturine, kafshë njerëzore që na ka turpëruar me botën”, deklaroi ai.
