Në një event në Pallatin e Kongreseve, dev.al dhe Pago prezantuan asistentin virtual Devi, zgjidhjet e reja të pagesave përpara afatit të 31 dhjetorit, dhe një produkt të ri për klinikat mjekësore. Ideja që i lidh të gjitha: një pikë e vetme për digjitalizimin e biznesit.
Sa ishin shitjet javën e kaluar? Cilat produkte po mbarojnë? Si eci pika e shitjes në qytetin tjetër?
Deri tani, përgjigjet e këtyre pyetjeve kërkonin një raport të nxjerrë nga një sistem dhe, shpesh, dikë që dinte ku ta kërkonte atë raport. Sot, në një skenë në Tiranë, ato morën përgjigje me një mesazh.
Asistenti quhet Devi. Lidhet me sistemin financiar të kompanisë dhe analizon njëkohësisht shitjet, inventarin dhe performancën e pikave. Pyetjet mund t’i marrë me shkrim ose me zë, dhe përgjigjet brenda pak sekondash.
Prezantimi u zhvillua në Pallatin e Kongreseve nga kompania dev.al dhe platforma financiare Pago, të cilat, në një event gjatë panairit të teknologjisë Future2Tech, paraqitën produktet e tyre të reja.
“Kupton qartë se çfarë ju kërkoni”
Gjatë prezantimit, Devi u përshkrua jo si një raport i ri, por si një mënyrë tjetër për t’iu afruar të dhënave që biznesi i ka tashmë.
“Devi është një mjet i bazuar në inteligjencën artificiale, i cili ka akses në të dhëna reale dhe shumë të sigurta, dhe bën analizë për ju. Kupton qartë se çfarë ju kërkoni, krijon kontekst dhe kupton ditë pas dite nevojat tuaja, dhe ju jep përgjigje.”
Dallimi qëndron te konteksti. Një raport i tregon përdoruesit atë që ai ka ditur ta kërkojë. Një asistent që e kupton pyetjen mund t’i përgjigjet edhe dikujt që nuk e njeh strukturën e sistemit: pronarit, drejtuesit të shitjeve, menaxherit të pikës.
Në të njëjtin prezantim u njoftua edhe një dashboard i ri për devBooks, sistemin financiar të kompanisë, që mbledh treguesit kryesorë të një biznesi në një ekran të vetëm. Të dyja shkojnë në të njëjtin drejtim: sistemi financiar të mos jetë më vetëm mjeti i kontabilistit, por mjet pune për çdo pozicion që merr vendime.
Për bizneset që përdorin edhe devPOS-in, Devi analizon njëkohësisht të dhënat e shitjeve, çka do të thotë se përgjigjja për ecurinë e një pike shitjeje nuk kërkon kryqëzimin manual të dy sistemeve. Sipas kompanisë, asistenti do të lidhet gradualisht me të gjitha sistemet e saj.
Pagesat me kartë dhe afati i 31 dhjetorit
Pjesa e dytë e prezantimit iu kushtua pagesave, dhe në qendër të saj ishte një datë: 31 dhjetori, afati ligjor brenda të cilit të gjitha bizneset duhet të pajisen me POS.
Për këtë, Pago prezantoi dy zgjidhje të reja, përtej POS-it tradicional. E para, është terminali POS i pajisur me fiskalizim të integruar, që bashkon në një pajisje të vetme pranimin e pagesës dhe lëshimin e faturës fiskale. E dyta është SoftPOS, teknologjia që mundëson pranimin e pagesave me kartë nga çdo telefon Android, pa pajisje shtesë dhe pa kontratë qiraje për terminal.
Dallimi praktik mes të dyjave është kostoja fillestare. Për një biznes të vogël që deri dje e shihte terminalin si një zë shpenzimi mujor, SoftPOS e heq krejt atë zë nga llogaria:mjafton telefoni që tregtari ka tashmë në xhep.
Për shitjet që nuk ndodhin në banak, Pago prezantoi dy zgjidhje të tjera. E para është ajo për tregtinë elektronike, që mundëson pranimin e pagesave nga Shopify, WooCommerce dhe çdo dyqan tjetër online. E dyta është pay-by-link: një link pagese që i dërgohet klientit, zgjidhje optimale për ata që shesin nëpërmjet rrjeteve sociale, ose për hotelet që kanë nevojë të marrin paraprakisht pagesat e rezervimeve.
Në listën e njoftimeve u përfshinë gjithashtu terminalet POS pa operator për pikat vetëshërbim, mundësia e pagesës së faturave të fiskalizuara me një veprim të vetëm nga aplikacioni Pago, si dhe kartat e reja për individët: Visa Classic dhe Visa Infinite me benefite premium dhe dërgesat e menjëhershme të parave drejt kartave Visa dhe Mastercard kudo në botë, përmes Visa Direct dhe Mastercard MoneySend.
Rikoncilimi që nuk bëhet më me dorë
Ajo që kompania e paraqet si vlerën e vërtetë të shtuar nuk është asnjëri prej produkteve veç e veç, por lidhja mes tyre. Drejtuesi i dev.al, Igli Gjelishti, e shpjegoi kështu:
“Pago është një platformë financiare e licencuar nga Banka e Shqipërisë. Është një platformë inovatore, që ofron funksionalitete që të gjitha bashkë është e vështirë t’i gjesh të përqendruara në një. Duke i shtuar kësaj edhe fuqinë e produkteve tona të tjera, siç është devPOS-i apo devBooks-i, për të mundësuar regjistrimin dhe rikoncilimin automatik të të dhënave, pa qenë nevoja që në fund të muajit apo të vitit një ekonomist apo kontabilist i një kompanie t’i marrë një nga një të dhënat dhe t’i rakordojë me dorë: kjo është vlera e shtuar e këtyre produkteve. E theksuam se fokusi ynë është të shërbejmë si një pikë e vetme për bizneset, ku të vijnë për të gjetur zgjidhje për të gjitha nevojat e tyre për digjitalizim.”
Në praktikë, kjo do të thotë se shitja regjistrohet në arkë, pagesa kalon përmes platformës financiare, fatura hyn në sistemin financiar, dhe rakordimi mes tyre ndodh vetvetiu. Puna që deri tani zinte ditët e fundit të çdo muaji në shumë kompani shqiptare zhduket si detyrë.
devMed, produkti i ri për shëndetësinë
Gjatë prezantimit u njoftua edhe devMed, produkti i ri i kompanisë për menaxhimin e klinikave mjekësore dhe laboratorëve. Sistemi mbulon nga kalendari i takimeve deri te kartela mjekësore elektronike e pacientit.
Është produkti i parë e dev.al në sektorin e shëndetësisë, dhe zgjeron listën e industrive që kompania mbulon me produkte të dedikuara.
Katër sisteme me versione të reja
Përveç njoftimeve të reja, eventi shërbeu edhe për të prezantuar versionet e përditësuara të katër sistemeve ekzistuese, që përdoren sot nga mbi njëzet e shtatë mijë biznese në Shqipëri.
devPOS vjen me një version që sjell përmirësime të ndjeshme në performancë, por pa ndryshuar ndërfaqen. Një zgjedhje e qëllimshme për të mos prekur mënyrën e punës së mijëra arkëtarëve. Krahas tij u prezantua një version desktop, i menduar për bizneset me shitje të shpeshta, që vazhdon të punojë edhe kur bie lidhja me internetin dhe sinkronizohet automatikisht sapo ajo kthehet. U njoftua gjithashtu integrimi me Wolt, që sjell porositë e platformës direkt në arkë.
devPMS, sistemi për hotelet, kaloi gjatë këtij viti një rindërtim të plotë dhe u lidh me WebHotelier, që e ekspozon hotelin në mijëra agjenci udhëtimi në botë, si dhe me Google Hotels, çka mundëson shfaqjen e çmimeve dhe dhomave të lira direkt në rezultatet e kërkimit, me rezervim që shkon te hoteli pa komisionin e agjencive online.
devHR vjen me ndërfaqe të re, aplikacione mobile të përmirësuara dhe një modul të ri rekrutimi, që mbulon rrugën nga shpallja e vendit të lirë deri te punësimi, brenda të njëjtit sistem ku punonjësi më pas menaxhohet.
Një ekosistem i vetëm
Sipas vizionit të dev.al dhe Pago, objektivi është plotësimi i të gjitha nevojave të biznesit për digjitalizim, në një ekosistem të vetëm, nga arka e dyqanit, te pagesa, te financa dhe te vendimmarrja.
Eventi u zhvillua në kuadër të Panairit të Teknologjisë Future2Tech, në Pallatin e Kongreseve.
