Dhjetëra Babagjyshë janë rikthyer në bankat e shkollës në Londër, por këtë herë jo për të mësuar matematikë apo gjuhë, por për t’u përgatitur për sezonin e Krishtlindjeve. Në një seminar të posaçëm trajnimi, të zhvilluar më 12 nëntor në jug të Londrës, ata mësuan se si të komunikojnë me fëmijët, të përballojnë pyetjet e papritura dhe të krijojnë një përvojë sa më të veçantë për vizitorët e vegjël. Të veshur me kostumet e tyre karakteristike të kuqe, pjesëmarrësit lanë përkohësisht rolin e Babagjyshit për t’u bërë sërish nxënës.
Gjatë trajnimit, ata praktikuan edhe gjuhën e shenjave, duke mësuar se si të urojnë “Gëzuar Krishtlindjet” për fëmijët me vështirësi në komunikim. Gjithashtu, u njohën me tendencat më të fundit të lodrave dhe morën udhëzime për mënyrën se si duhet t’u përgjigjen pyetjeve të vështira apo të papritura që mund të marrin gjatë takimeve me fëmijët.
Programi organizohet nga Ministria e Argëtimit, ndërsa Shkolla e Babagjyshit feston këtë vit 28-vjetorin e krijimit. Ajo synon të përgatisë profesionistët që punojnë si Babagjyshë në qendrat tregtare, dyqanet dhe aktivitetet festive në të gjithë Mbretërinë e Bashkuar dhe më gjerë.
Një pjesë e rëndësishme e trajnimit i kushtohet edhe situatave emocionale dhe delikate. Babagjyshët mësojnë si të reagojnë kur një fëmijë u kërkon që prindërit e ndarë të ribashkohen apo shpreh dëshirën që një familjar i sëmurë të shërohet. Në këto raste, udhëzimi kryesor është të tregojnë mirësi, empati dhe të dëgjojnë me kujdes, pa bërë premtime që nuk mund t’i përmbushin.
Gjatë seminarit u prezantua edhe raporti vjetor i Ministrisë së Argëtimit, i titulluar “Gjendja e Babagjyshit”, i cili evidenton ndryshimet në traditat dhe zakonet e Krishtlindjeve.
Të dhënat tregojnë se rezervimet për Zonjën Claus janë rritur me 32%, ndërsa 60% e fëmijëve vazhdojnë t’i shkruajnë Babagjyshit letra me dorë. Byrekët tradicionalë të ëmbël me mish të grirë mbeten gjithashtu zgjedhja më e preferuar për natën e Krishtlindjeve, duke u shfaqur në 77% të tryezave festive. Ndërkohë, kombucha është një zgjedhje shumë më pak e përhapur, e pranishme në vetëm 2% të tyre.
Raporti zbulon gjithashtu se një takim mes një fëmije dhe Babagjyshit zgjat mesatarisht vetëm 3 minuta e 45 sekonda. Kjo kohë e shkurtër e bën edhe më të rëndësishëm trajnimin e tyre, pasi duhet të krijojnë një moment të paharrueshëm për çdo fëmijë.
Për Babagjyshët, sfida nuk është thjesht të njohin lodrat më të kërkuara të vitit, por të bëjnë çdo fëmijë të ndihet i dëgjuar dhe i veçantë, duke ruajtur magjinë e Krishtlindjeve.
