Arman Durmishi është kthyer në një nga sulmuesit e perspektivës që po monitorohet me shumë vëmendje në futbollin Italian. Djaloshi i cili përfaqëson Shqipërinë, po spikat me të rinjtë e Juventusit ku ka djegur etapat dhe tashmë përtej Adriatikut e shohin si një nga ata lojtarë të cilët shumë shpejt mund të çajnë edhe në radhët e ekipit të parë.

E përditshmja italiane “Gazzetta Dello Sport” i ka kushtuar një shkrim 5 lojtarëve të Next Gen, ekipit U23 të Juventusit, që mund të shpërthejnë së shpejti në skenat e rëndësishme dhe Durmishi është një prej tyre. Ashtu siç ka bërë të ditur “Panorama Sport”, djaloshi në ditët e fundit ka refuzuar një ftesë nga Shqipëria U21, duke qëndruar në klubin e tij për këtë pauzë të kombëtareve, pasi Juventus Next Gen vazhdon të luajë edhe në këtë periudhë në Serinë C.

“Rëndësia e respektimit të etapave dhe kohës së zhvillimit vihet qartë në pah nga rritja e Durmishit, një sulmues i lindur në vitin 2008, i cili vitin e kaluar po përpiqej të siguronte hapësirë në skuadrën “Primavera”. Falë qëndrueshmërisë së treguar në stërvitje e rrjedhimisht edhe në ndeshje, ai tashmë është përfshirë edhe në grupin e ekipit të parë përmes skuadrës “Next Gen”. Gjatë pjesës së parë të sezonit, ai shfaqi rritje të ndjeshme në aspektin fizik, teknik dhe taktik. me një tendencë që vetëm mund të përmirësohet më tej me vazhdimin e zhvillimit të ndeshjeve mes profesionistëve. Ka kaluar shumë kohë që kur Juventusi nuk ka nxjerrë nga radhët e veta një qendërsulmues të nivelit të lartë”, shkruan gazeta e njohur italiane për Durmishin.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb