Aktori dhe karikaturisti Bujar Kapexhiu ka folur për projektet e tij të reja artistike, gjatë një interviste në emisionin “Kjo Javë” në News24, me gazetaren Nisida Tufa.
Kapexhiu tregoi se në Korçë do të organizohet Bienalja e Karikaturës, ku do të marrin pjesë karikaturistë nga vende të ndryshme të botës. Aktiviteti do të nisë më 31 tetor dhe do të zhvillohet rreth dy temave, mes tyre “Djall apo engjëll”.
Ai tregoi gjithashtu se këtë vit do të jetë vetë pjesë e një prej veprave të ekspozuara, pasi portreti i tij do të jetë pjesë e organizimit.
Ndërkohë, karikaturisti po përgatitet edhe për Panairin e Librit në nëntor, ku pritet të prezantojë dy botime të reja.
“Në Korçë organizohet bienalja e karikaturës. Dhe karikaturistë nga e gjithë bota, do të jetë nga data 31 tetor. Janë dy tema, djall apo engjëll dhe me të vërtetë brenda njeriut janë të dy dhe luftojnë të dy për të dalë. Kam patur edhe unë shansin dhe i falënderoj organizatorët që janë vendosur të jetë portreti i një artisti dhe këtë radhë do të jem unë. Më kanë bërë në formë shumë humoristike. Unë tani po përgatitem për panairin e librin në nëntor. Po përgatitem për dy libra. Librin e quaj portret i ambalazhuar me gazeta. Ka mendime, biseda të ndryshme, kujtime me humor dhe janë përmbledhur me një libër. Dhe libri i dytë është Seferi në Demokraci dhe këtë radhë ai takon politikanë, ministra të ndryshëm, shefa policie, kreun e politikës, ka biseda të ndryshme, por të gjitha me humor brenda kuadrit të humorit”, shtoi ai.
