Një stuhi e fuqishme e tipit “nor’easter” ka përfshirë verilindjen e Shteteve të Bashkuara, duke shkaktuar përmbytje, erëra të forta, ndërprerje të energjisë elektrike dhe kaos në transport.

Dhjetëra miliona njerëz në zonën nga Virxhinia deri në Maine janë përballur me reshje të dendura dhe kushte të rrezikshme përgjatë bregdetit, ndërsa autoritetet në New York dhe New Jersey kanë shpallur gjendjen e emergjencës.

Shërbimi Kombëtar i Motit në SHBA ka paralajmëruar për përmbytje të rrezikshme bregdetare, erëra të forta dhe reshje të dendura, veçanërisht në New York dhe Boston. Në disa komunitete bregdetare të New Jersey-t, përfshirë Surf City dhe Manasquan, uji ka përmbytur rrugë dhe banesa.

Në Brooklyn, një person humbi jetën pasi u godit nga një pemë e rrëzuar nga erërat e forta. Stuhia ka shkaktuar gjithashtu ndërprerje të gjera të energjisë elektrike, me më shumë se 100 mijë familje të mbetura pa energji, shumica e tyre në verilindje të vendit.

Autoritetet kanë paralajmëruar se situata mund të përkeqësohet për shkak të hënës së plotë, e cila pritet të ndikojë në rritjen e përmbytjeve përgjatë zonave bregdetare. Në New York, zyrtarët kanë paralajmëruar për erëra me shpejtësi deri në 86 km/h gjatë fundjavës, duke rritur rrezikun për rrëzimin e pemëve dhe linjave elektrike.

“Ju bëj thirrje të gjithë banorëve të New Jersey-t ta marrin seriozisht këtë stuhi, të qëndrojnë vigjilentë dhe të ndjekin udhëzimet lokale”, deklaroi guvernatorja Mikie Sherrill. Ndërkohë, autoritetet meteorologjike kanë kërkuar që banorët e zonave të ulëta pranë bregdetit të përgatiten për përmbytje të konsiderueshme.

Kryebashkiaku i New York-ut, Zohran Mamdani, u ka bërë thirrje qytetarëve të shmangin udhëtimet e panevojshme dhe të mos kalojnë në këmbë apo me automjete nëpër ujërat e përmbytjeve.

Stuhia ka shkaktuar edhe anulime dhe shtyrje të shumta të aktiviteteve sportive dhe kulturore. Më shumë se 2,400 fluturime janë vonuar dhe rreth 1,200 të tjera janë anuluar, ndërsa autoritetet e aviacionit u kanë kërkuar pasagjerëve të kontrollojnë statusin e fluturimeve me kompanitë ajrore.

 

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: